Trafik narkotikësh e grup i strukturuar kriminal, GJKKO dënon me burg 13 persona

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Gjykata e Posaçme vendosi sot dënimin e 13 të pandehurve të akuzuar për trafik narkotikësh, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe vepra të tjera penale.
Gjykimi është zhvilluar me procedurë të shkurtuar.
GJKKO bëri të ditur se, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Rudina Palloj dhe Erjon Bani, ka shpallur vendimin duke dhënë dënime që shkojnë nga 8 deri në 10 vite burgim pas uljes së 1/3 së dënimit, siç parashikohet nga procedura e gjykimit të shkurtuar.
Gjykata ka deklaruar fajtor Arlind Ismajlukajn për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, duke e dënuar përfundimisht me 9 vite e 4 muaj burgim.
Në vendim thuhet se dënimi i tij do të vuhet në një institucion të sigurisë së lartë dhe se koha e qëndrimit në paraburgim do të llogaritet nga 15 gushti 2023.
Po ashtu, Gëzim Çelaj është dënuar me 10 vite burg, ndërsa Nerim Çelaj me 8 vite e 4 muaj, pasi përveç akuzave për trafik narkotikësh dhe grup kriminal, Gjykata ka vlerësuar edhe përgjegjësinë e tij për mbajtje pa leje të armëve. Sipas vendimit, edhe këta të pandehur do të vuajnë dënimin në burgje të sigurisë së lartë.
GJKKO bën të ditur se të pandehurit Armando Mema, Dritan Metaj, Ben Dalipaj, Besnik Brokeri, Alket (Dritan) Deda, Selami Lushkaj, Ksenofon Bodo, Kyrylo Ponomarenko, Kostiantyn Biellon dhe Armando Papa janë shpallur gjithashtu fajtorë për të njëjtat vepra, duke u dënuar secili me nga 8 vite burgim përfundimtar.
/gj.m/j.p/r.e/