Trafik organesh nga Maqedonia e Veriut/ Në SHBA kanë mbërritur trutë e 1000 personave për…

Dokumentet e fundit të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë si pjesë e hetimit për Jeffrey Epstein zbulojnë akuza tronditëse për përfshirje të mundshme të një shtetasi të Maqedonisë së Veriut, profesor në Universitetin e Kolumbias, në eksportimin e trurit të njerëzve nga Maqedonia e Veriut me qëllim fundor, eksperimente shkencore në Shtetet e Bashkuara.
Në një e-mail që mban titullin: Ilaçi 50-vjeçar që mund të zgjidhë krizën e vetëvrasjeve në Amerikë, të dërguar me datë 5 shkurt 2019-të, me emër dërguesi dhe marrësi të censuruar, thuhet se nga Maqedonia kanë mbërritur në SHBA rreth 1000 tru njerëzish, disa prej tyre nga persona që kanë kryer vetëvrasje.

Hetimi nuk përmban asnjë informacion nëse familjet e të ndjerëve dhanë pëlqimin e tyre për një përdorim të tillë të organeve, as nëse institucionet shtetërore ishin në dijeni ose dhanë leje për një lëvizje të tillë.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi pak ditë më parë 3 milionë dokumente shtesë nga dosja e Jeffrey Epstein.
Qindra mijëra dokumente që lidhen me Epstein ishin bërë publike deri në fund të vitit 2025, të cilat përfshinin foto të Epstein me ish-presidentin Bill Clinton dhe Donald Trump. Ndërkohë, dokumentet e publikuara së fundmi kanë trazuar të gjithë botën, duke çuar shumë politikanë drejt dorëheqjes.