Trafikuan 7.5 ton kokainë, GJKKO lë në burg 3 të akuzuarit si pjesë e grupit kriminal të trafikut ndërkombëtarë të drogës

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për tre personat e arrestuar në lidhje me trafikimin e 7.5 ton kokainë.
Të arrestuarit janë Fatjon Marku, Lulzim Pepaj dhe Anton Kola, ndërsa vendimi u dha nga gjyqtarja Alma Kodraliu, e cila vlerësoi se ekzistojnë kushtet për caktimin e masës më të rëndë të sigurisë ndaj tyre.
Tre të dyshuarit akuzohen për përfshirje në një rast të rëndë të trafikut ndërkombëtar të drogës, konkretisht të një sasie prej 7.5 ton kokainë.
Aksioni i SPAK u zhvillua të mërkurën (15 prill), ku në total u firmosën 11 urdhër-arreste.
Sipas dosjes hetimore, grupi ka vepruar intensivisht gjatë periudhës 2019-2021. Gjatë kësaj kohe, janë dokumentuar 8 episode të trafikimit të sasive të mëdha të kokainës, me origjinë nga Peruja, Ekuadori dhe Kolumbia, me destinacion kryesor Portin e Roterdamit në Holandë. Ndër rastet më të theksuara përfshihen: Në prill 2020, trafikimi i 1,018 kg kokainë nga Peruja në Roterdam, e fshehur në lëng frutash të ngrira; qershor 2020, trafikimi i rreth 2,020 kg kokainë nga Ekuadori; në gusht 2020, sekuestrimi i 1,238 kg kokainë e fshehur në një ngarkesë me banane nga Ekuadori drejt Roterdamit.
Krahas masave personale të sigurisë, GJKKO ka urdhëruar sekuestron preventive për 232 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me të dyshuarit. Lista e aseteve të bllokuara, që kap vlerën e 12 milionë eurove.
/rtsh.al/