E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedi në Georgia, vritet një oficer policie, tjetri në gjendje kritike pas shkëmbimit të zjarrit në një hotel

Një oficer policie ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë pas një shkëmbimi zjarri të ndodhur mëngjesin e së dielës në një hotel në periferi të Atlantës.

Policia e Qarkut Gwinnett njoftoi se ngjarja e rëndë ndodhi pranë zonës së Stone Mountain, rreth 40 kilometra në verilindje të Atlantës.

Sipas raportimeve paraprake, dy oficerët u dërguan në vendngjarje pas një telefonate që denonconte një rast mashtrimi. Në momentin që efektivët mbërritën në hotel dhe kontaktuan me personin e dyshuar, situata përshkallëzoi menjëherë. I dyshuari nxori armën dhe qëlloi në drejtim të tyre. Oficerët iu kundërpërgjigjën zjarrit, duke e lënë të plagosur agresorin.

Bilanci i viktimave

Përplasja rezultoi fatale për njërin prej oficerëve, i cili ndërroi jetë nga plagët e marra. Oficeri i dytë u transportua me urgjencë në spital dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën, por mjekët raportojnë se gjendja e tij është e qëndrueshme. I dyshuari po trajtohet gjithashtu në spital për plagë arme. Policia nuk ka bërë ende publikë emrat e oficerëve apo të autorit të ngjarjes.

Guvernatori i Xhorxhias, Brian Kemp, reagoi përmes një deklarate në platformën sociale X, duke shprehur ngushëllimet për familjen e oficerit të vrarë.

“Kjo është kujtesa më e fundit për rreziqet me të cilat përballen forcat e ligjit çdo ditë. Ne jemi mirënjohës për këdo që e vë veten në rrezik për të mbrojtur bashkëqytetarët e tyre,” shkroi Kemp.

Hetimi për zbardhjen e plotë të rrethanave i ka kaluar Byrosë së Hetimeve të Xhorxhias, procedura standarde për rastet kur përfshihen oficerë policie.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›