E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia, egjiptianët nuk kishin patentë/ DPSHTRR: Nuk ishin te pajisur as me dëshmi aftësie për “automakinist”

Dy shtetasit egjiptianë, njëri drejtues i autobetonieres dhe tjetri pasagjer, të cilët humbën jetën në aksidentin e së mërkurës pranë TEG-ut, nuk ishin pajisur me leje drejtimi shqiptare dhe as me Dëshmi të Aftësisë Profesionale për profilin “Automakinist”.

Këtë e sqaron Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, e cila thekson se në regjistrat e saj nuk rezulton që dy shtetasit të jenë pajisur me dokumentacionin e nevojshëm për drejtimin e automjeteve për përdorim të veçantë, ku përfshihen edhe autobetonieret.

Institucioni sqaron se legjislacioni shqiptar u lejon shtetasve të huaj të qarkullojnë në vend me lejet e drejtimit të vlefshme të lëshuara nga autoritetet e shtetit të tyre, për periudhën e parashikuar në Kodin Rrugor. Për këtë arsye, theksohet se drejtimi i një automjeti në territorin shqiptar nuk do të thotë se personi është pajisur domosdoshmërisht me leje shqiptare.

DPSHTRR thekson ndër të tjera se Shqipëria nuk ka marrëveshje reciprociteti me Egjiptin për njohjen apo konvertimin e lejeve të drejtimit, ndaj pretendimet se dy shtetasit ishin pajisur me dokumentacion shqiptar cilësohen të pavërteta.

institucioni deklaron se të gjitha procedurat për pajisjen me leje drejtimi dhe dëshmi profesionale kryhen vetëm sipas kërkesave të ligjit, ndërsa shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me organet ligjzbatuese në kuadër të hetimeve për aksidentin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›