E Diel, 1 Nëntor 2026

Transaksionet bankare nëpërmjet internetit, mbi 2 miliardë lekë

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Numri i transaksioneve të realizuara me home banking arriti në 9,4 milionë gjatë periudhës janar-tetor 2025, duke shënuar rritje krahasur me të njëjtën periudhë të vitit 2024, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

Sipas statistikave të BSH-së, paralelisht me numrin e transaksioneve, rritje ka shënuar edhe shuma e transaksioneve, e cila kapi një vlerë rekord prej 2,3 miliardë lekësh.

Referuar statistikave fluksi më i lartë i transaksioneve dhe pagesave home banking në shifrën mbi 1 miliard lekë u realizuan gjatë sezonit veror, që përkon dhe me ardhjen më të madhe të numri të turistëve dhe vizitorëve të huaj, në vendin tonë.

Home banking, i quajtur ndryshe si bankingu në shtëpi, përdoret për të kryer transferta parash për të paguar taksat, faturat e energjisë elektrike, të ujit, të telefonit, gjobat e policisë, pagesat e kartës së kreditit dhe të tjera, pa qenë nevoja e paraqitjes në degët fizike të bankave.

Klientët e bankave mund të kenë qasje në këto shërbime bankare kudo që ndodhen për sa kohë që kanë internet.

Rritja e transaksioneve që kryhen përmes aplikacioneve ose faqeve online të bankave është një tregues i digjitalizimit të shërbimeve bankare, ndërsa rrit edhe më tepër përfshirjen financiare të qytetarëve, si dhe transparencën e veprimeve bankare.

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›