E Diel, 1 Nëntor 2026

Transballkanikja, rinisin punimet në aksin problematik

 Kontestojnë ende dy familje të zonës. Njëra e ngujuar dhe tjetra në proces gjyqësor

Vlorë-Përfaqësues të ndërmarrjes së rrugëve, inspektoriateve të ndërtimit në qytet, si dhe forca të shumta policore janë përqendruar dje në një nga akset e Transballkanikes, vlerësuar si tepër problematik, për kontestimet e banorëve të zonës. Ndërhyrjet e djeshme kanë zhbllokuar punimet, të cilat prej disa javësh mbahen pezull, duke pritur lirimin e sheshit të ndërtimit. Veprimet e strukturave janë mbështetur nga policia e shtetit, por nuk janë shënuar konfrontime me banorë të zonës. Shefi i ndërtimorëve të Vlorës, Shpëtim Xhyheri, pohon se tashmë pas procedurave të shpronësimit, janë evituar përplasjet, pasi ka vlera reale shpronësimi. Ndërkohë që shqetësim kanë qenë vetëm dy familje, një prej të cilave në proces gjyqësor, ndërsa në tjetrën gjendet ende e ngujuar, 45-vjeçarja Cekodhima. "Ne do të vijojmë prishjet në godina të tjera dhe për këto do të orientohemi dhe me qendrën",- pohon Xhyheri. Ndërkohë një kryefamiljare që ka procedura gjyqësore, Minushe Mërtiraj, kërkon vetëm vlerat e shpronësimeve dhe pas kësaj le të vijojnë prishjet. "Unë aktualisht jam në proces gjyqësor dhe nuk e di kur do të jetë fundi i tij. Pra unë gjatë kësaj kohe do të jem pa shtëpi dhe pa marrë asnjë vlerë shpronësimi",- thotë ajo. Shpronësimet mbajtën pezull punimet, si dhe afatet e përfundimit të rrugës, për të cilat përcaktohej 15 nëntori i vitit të kaluar si afati përfundimtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›