E Diel, 1 Nëntor 2026

Transformohet “Shirokë-Zogaj”, ndërtimi i rrugës pritet t’i japë hov zhvillimit të turizmit

Rruga panoramike Shirokë–Zogaj po i nënshtrohet një transformimi, duke u shndwrruar nga një aks i ngushtë dhe i amortizuar në një rrugë moderne, funksionale dhe të sigurt.

Ky investim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së banorëve dhe në zhvillimin e turizmit përgjatë liqenit të Shkodrës.

Aktualisht, punimet janë në një fazë të avancuar. Janë realizuar thuajse të gjitha gërmimet dhe mbushjet përgjatë gjatësisë së rrugës, ndërsa mbi 80% e strukturave mbajtëse janë drejt përfundimit.

Traseja është e hapur në rreth 90% të gjatësisë, duke lehtësuar ndjeshëm edhe qarkullimin gjatë kohës së ndërtimit.

Njëkohësisht, ka nisur vendosja e shtresave rrugore ndërsa po vijon edhe sistemimi i ujërave të bardha, një masë kyçe për të shmangur përmbytjet dhe dëmtimet gjatë stinës së reshjeve.

Ndërhyrjet përfshijnë gjithashtu zhvendosjen e linjave ekzistuese të tensionit dhe të ujësjellësit.

Rruga e re shihet si një projekt jetik që i jep fund dekadave të izolimit dhe e kthen zonën në një destinacion të aksesueshëm dhe të denjë për potencialin që mbart./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›