E Martë, 3 Nëntor 2026

Transporti i mbetjeve toksike, Bardhi: Porti i Durrësit si han pa porta, kontrollohet nga krimi

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazmet Bardhi ka reaguar pas deklaratës së zv.kryeministres Belinda Balluku lidhur me transportin e mbështetjeve të dyshuara toksike nga Porti i Durrësit nën drejtim të Tajlandës.

Balluku tha se këto mbetje procedohen nga koncesionari dhe jo Autoriteti Portual i Durrësit, por për Bardhin Porti i Durrësit duhet të mbajë përgjegjësi se çfarë hynë dhe del që andej.

Bardhi akuzon autoritete se transporti i mbetjeve të rrezikshme toksike nuk mund të realizohet pa mbështetjen e tyre dhe nëse kjo ndodh atëherë, sipas tij, ata kanë “lejuar abuzimin e privatit”.

Kreu i grupit të PD u shpreh se Porti i Durrësit është kthyer si han pa porta, ku kontrollohet nga krimi i organizuar dhe jo autoritetet shtetërore

“Porti i Durrësit sipas “tortës Belinda” nuk ka asnjë përgjegjësi se çfarë hyn dhe çfarë del prej tij. Sipas Qeverisë kushdo me një vetëdeklarim, fut dhe nxjerr nga Porti i Durrësit çfarë të dëshirojë. Me pak fjalë, me vetëdeklarim kokaina mund të shënohet si miell; helmi mund të shënohet si bimë kurative; makina mund të shënohet si biçikletë; paratë e pista mund të shënohen si letra higjenike.

Në fakt prej kohës Porti i Durrësit është shndërruar në një han pa porta, që nuk kontrollohet nga autoritetet shtetërore por nga krimi i organizuar. “Torta Belinda” e di më mirë se kushdo tjetër këtë, prandaj dhe nervozizmi, sulmi ndaj medias e opozitës dhe “faji i mbetur jetim” është e vetmja rrugë që i ka mbetur.

Afera e trafikut ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme toksike nuk mund të realizohet kurrë pa mbështetjen, mosveprimin apo symbylljen e autoriteteve shtetërore. Edhe përgjegjësia, mosveprimi apo shkelja e ligjit nga entet private nënkupton mosveprim dhe mungesë mbikëqyrje nga autoritetet shtetërore që kanë lejuar abuzimin e privatit.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të përdor të gjitha mekanizmat e kontrollit parlamentar për zbardhjen e plotë të kësaj çështje, duke siguruar qytetarët shqiptarë se nuk do të lejojë në asnjë rast, që për shkak të një qeverisje kriminale dhe të papërgjegjshme të Edi Ramës, Shqipëria të jetë në një rrezik permanent për shkak të sasive të konsiderueshme të mbetjeve të rrezikshme brenda territorit shqiptar”, shkruan Bardhi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›