Trashëgimia kulturore e Gjirokastrës, në qendër të restaurimeve banesa dhe objekte kulti

Gjirokastra vijon të ruajë thesaret e saj historikë dhe arkitekturorë me projekte të rëndësishme restaurimi.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore ka realizuar gjatë këtij viti investime dhe bashkëpunime me partnerë vendas dhe të huaj, duke nxjerrë disa objekte nga lista e riskut.
Sipas te dhënave, aktualisht po vijon rehabilitimi i banesave karakteristike të kategorisë së parë dhe të dytë, si dhe i portave monumentale në lagje të ndryshme të qytetit.
“Kemi bërë disa ndërhyrje emergjente në disa objekte të kultit për t’i shpëtuar nga rrezikshmëria” tha Ardis Duka, Drejtor në Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër.
Sipas kreut të Drejtorisë, Ardis Duka, punimet e kryera kanë për qëllim ruajtjen e tyre dhe funksionalizimin për turizmin.
“Në periudhën e verës, ne kemi bërë disa restaurime, mirëmbajtëse, por kryesisht janë ndërhyrë për të evituar degradimin e tyre dhe për ti dhënë jetëgjatësi objektit”, theksoi Duka.
Këto investime synojnë jo vetëm të ruajnë trashëgiminë kulturore të Gjirokastrës, por edhe të ofrojnë një eksperiencë më të pasur për vizitorët, vendas e të huaj.
/rtsh.al/