Shpërthimi në pallatin në Elbasan, Instituti i Ndërtimit: Objekti është i pabanueshëm, të merren masa të shpejta për shembjen e tij
Ekspertët e Institutit të Ndërtimit kanë dalë në përfundimin që pallati ku ndodhi shpërthimi i fuqishëm një ditë më parë në Elbasan, ku humbën jetën dy persona dhe u lënduan disa të tjerë, duhet që të shembet.

Në një komunikim për mediat, drejtoresha e Institutit, Persida Shkrepa tha pas verifikimeve se objekti është i pabanueshëm dhe se duhet të merren masa të shpejta për shembjen e tij.
“Ky është një objekt i ndërtuar në vitet ‘70. Dëmtimet që kanë pësuar kanë qenë të forta nga gazi dhe zjarri. Ne kemi konstatuar se objekti është i pabanueshëm. Duhet të merren masa sa më shpejta për t’u demoluar.
Duhet të merren masa që edhe banorët që do të duhet të hyjnë në objekt, në seksionin e parë ku nuk ka pasur goditje. Seksioni i dytë është i pabanueshëm dhe i paaksesueshëm nga asnjë banor. Do duhet që të bëhen të shoqëruar me forcat zjarrfikëse.
Masa e dytë që duhet marrë, në një rreze prej 30 metrash, do të duhet që të sigurohen edhe objektet që janë përreth”, u shpreh një nga përfaqësuesit.
Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja bëri të ditur se banorët që nuk kanë mundësi të qëndrojnë te të afërmit janë akomoduar në konviktin e qytetit, ku u janë siguruar edhe ushqimet.
“Që mbrëmjen e kaluar janë marrë masa për akomodimin e të gjithë personave që nuk kishin mundësi të strehoheshin. Ata janë sistemuar në konviktin e qytetit të Elbasanit, ku u janë siguruar edhe ushqimet përkatëse. Një pjesë e madhe e banorëve kanë dalë nga banesat vetëm me rrobat e trupit.
Disa prej tyre kanë qëndruar te të afërmit, ndërsa të tjerë janë akomoduar në strukturat tona të strehimit. Do të vijojmë t’i strehojmë në ambientet e Bashkisë së Elbasanit deri në përfundimin e procedurave ligjore.”, tha Llatja.