Trefishim të kërkesave nga të huajt në Vlorë, mbi 5 mijë aplikime për leje qëndrimi në 7 muaj

Vlora po tërheq gjithnjë e më shumë shtetas të huaj, jo vetëm si destinacion turistik, por edhe si një qytet për të jetuar dhe punuar. Të dhënat e Sektorit të Migracionit në Vlorë tregojnë një rritje të ndjeshme të kërkesave për leje qëndrimi dhe leje të veçanta.
Gjatë periudhës janar–korrik 2025 u procesuan 1 mijë e 685 kërkesa, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2026 numri ka arritur në 5 mijë e 65, duke shënuar më shumë se trefishim. Interesi për të punuar në Vlorë rritet veçanërisht gjatë sezonit turistik, kur hotelet, restorantet dhe shërbimet kanë nevojë për më shumë punonjës.
“Prej dy muajsh ndodhem në Shqipëri dhe punoj në një hotel këtu në Vlorë”, tha shtetasi i huaj.
“Prej një viti jetoj në Shqipëri. Kontrata ime është njëvjeçare, punoj në kuzhinë. Po mendoj ta zgjas kontratën dhe të qëndroj këtu, pasi më pëlqen shumë. Vendi është i qetë dhe njerëzit janë shumë të thjeshtë”, u shpreh shtetasi i huaj.
“Punoj si kameriere në Dhërmi dhe më pëlqen shumë këtu. Në shtator mendoj të zhvendosem në Tiranë”, tha shtetësja e huaj.
“Jam nga Filipinet dhe kam vetëm 11 ditë këtu. Kontrata ime është njëvjeçare. Kam ardhur për të punuar si mirëmbajtëse shtëpish dhe vilash. Familja ime ndodhet në Filipine”, shprehet shtetas e huaj.
Për t’iu përgjigjur fluksit në rritje të aplikimeve, Zyra e Emigracionit në Vlorë ka shtuar edhe ditën e mërkurë si ditë aplikimi, duke e ofruar shërbimin në tre ditë të javës.
Aktualisht, rreth 7 mijë e 500 shtetas të huaj rezultojnë të pajisur me leje qëndrimi të vlefshme në Vlorë. Ata vijnë kryesisht nga vende të ndryshme të Europës, ndërsa gjatë këtij viti është vënë re rritje e aplikimeve edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Filipinet dhe Indonezia.
/rtsh.al/