E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia rrugore intensifikon kontrollet në Gjirokastër, 1,903 gjoba dhe 6 procedime në 10 ditë

1,903 masa administrative dhe 6 procedime penale janë regjistruar nga Policia Rrugore e Gjirokastrës gjatë periudhës 1–10 gusht 2026, në kuadër të kontrolleve të intensifikuara për rritjen e sigurisë rrugore dhe menaxhimin e trafikut gjatë sezonit veror.

Nga kontrollet në të gjitha akset rrugore të qarkut është pezulluar edhe 1 leje drejtimi, ndërsa masat administrative janë vendosur kryesisht për parakalime të gabuara dhe shpejtësi tej normave të lejuara.

Nga 1,903 masat administrative, 693 janë vendosur për tejkalim të shpejtësisë dhe 603 për parakalime të gabuara. Po ashtu, janë vendosur 409 masa për ndalim ose qëndrim të gabuar, 10 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 7 për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit, 3 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe 2 për mosvendosje të rripit të sigurimit. 176 masa të tjera lidhen me shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Ndërkohë, 6 drejtues mjetesh janë proceduar penalisht për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Policia Rrugore e Gjirokastrës ka intensifikuar monitorimin për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve gjatë sezonit veror. Kontrollet po kryhen me dronë, radarë dhe makina inteligjente, në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale.

Në fokus janë veçanërisht drejtuesit që qarkullojnë nën efektin e alkoolit, drejtojnë pa leje drejtimi, kryejnë parakalime të gabuara ose tejkalojnë shpejtësinë e lejuar, shkelje që konsiderohen ndër faktorët kryesorë të aksidenteve rrugore.

Policia njofton se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset e qarkut, ndërsa u bën apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›