E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregu i sigurimeve rritet me 8,39% në janar-prill, primet arrijnë në 8,31 miliardë lekë

TIRANË, 28 maj/ATSH/ Tregu i sigurimeve vijoi rritjen gjatë periudhës janar-prill të këtij viti, duke shënuar zgjerim në të gjithë treguesit.

Sipas raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), gjatë kësaj periudhe, primet e shkruara bruto arritën në rreth 8,31 miliardë lekë, me një rritje prej 8,39% krahasuar me një vit më parë.

Edhe dëmet e paguara bruto u rritën, duke arritur në rreth 3,03 miliardë lekë, ose 13,35% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Numri i kontratave të sigurimit u rrit me 4,89%, ndërsa numri i dëmeve të paguara me 5,31%, çka tregon zgjerim të aktivitetit në treg. Primi mesatar në nivel tregu u rrit me 3,33%, ndërsa dëmi mesatar i paguar shënoi rritje më të lartë, me 10,11%.

Tregu vijon të dominohet nga sigurimet jo-jetë, të cilat zënë 90,77% të totalit. Në këtë segment, primet arritën në rreth 7,54 miliardë lekë, me rritje 8,79%, ndërsa dëmet e paguara në rreth 2,80 miliardë lekë, me rritje 16,60%.

Sigurimet e detyrueshme motorike mbeten produkti kryesor i këtij tregu, me 64,99% të segmentit jo-jetë. Ato regjistruan prime prej rreth 4,90 miliardë lekësh, në rritje 5,43%, si dhe dëme të paguara në rreth 1,88 miliardë lekë, me rritje 13,61%.

Sigurimet vullnetare kanë vijuar gjithashtu rritjen, duke arritur në rreth 2,64 miliardë lekë prime, ose 15,66% më shumë. Rritja është nxitur kryesisht nga sigurimet e pronës dhe ato nga zjarri. Dëmet në këtë segment arritën në rreth 0,93 miliardë lekë, me rritje 23,19%.

Edhe sigurimet e jetës kanë shënuar ecuri pozitive, ndonëse me peshë më të vogël në treg vetëm 9,23%. Primet arritën në rreth 0,77 miliardë lekë, me rritje 5,06%, ndërsa dëmet e paguara në rreth 0,14 miliardë lekë.

Sipas AMF-së, zhvillimet në treg lidhen kryesisht me ndryshime në sigurimet motorike, ku është ulur primi mesatar i MTPL-së së brendshme si pasojë e zbatimit të faktorit të riskut “historiku i dëmeve”.

Ndërkohë, rritja e sigurimeve vullnetare është mbështetur nga sigurimet e pronës, ndërsa në sigurimet e jetës ndikim kanë pasur produktet e lidhura me kreditë dhe kontratat në grup.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›