Tritol në makinën e një 36-vjeçari në Tiranë, autori u largua me biçikletë

Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Tiranë.
Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 01:50 në rrugën “Vasil Ndocka”, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde plasëse në një automjet të parkuar, në pronësi të shtetasit Oltion Klosi, 36 vjeç.
Nga shpërthimi fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale në automjetin e parkuar.
Menjëherë pas ngjarjes në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Mësohet se Oltion Klosi, jeton mes Shqipërisë dhe Spanjës. Hetuesit dyshojnë se aktiviteti i tij në Spanjë mund të jetë motiv i vendosjes së lëndës plasëse.
Po ashtu, mësohet se Klosi rezulton me precedent penal për konflikte të mëparshme.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë në zonë, dyshohet se autori është fiksuar në momentin kur vendos lëndën plasëse në automjet.
Sipas të dhënave paraprake, ai ka mbërritur në vendngjarje me biçikletë dhe është larguar po me biçikletë menjëherë pas vendosjes së tritolit.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje dhe për të identifikuar autorin.