Trofeu “Skënderbej” Krujë – Shaqiri fiton në grupin P4, i dyti në renditjen e përgjithshme

TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Qyteti i Krujës mirëpriti edicionin e vitit 2025 të trofeut ndërkombëtar “Skënderbej”, pjesë e kalendarit të “FIA CEZ” për Zonën e Europës Qendrore, i cili solli shpejtësi, emocione dhe garë të fortë mes pilotëve nga vende të ndryshme të rajonit dhe Europës.
Piloti shqiptar Gentjan Shaqiri konfirmoi edhe një herë nivelin e tij të lartë, duke u renditur i pari në grupin P4, kategori në të cilën mban aktualisht titullin e kampionit të Europës. Me mjetin garues “Tattus”, ai regjistroi një kohë totale prej 4 minuta, 41 sekonda e 131 të mijëtat.
Shaqiri, i njohur për përkushtimin dhe profesionalizmin e tij, la pas garuesin malazez Sutobiç dhe serbin Brkiç, ndonëse ky i fundit konkurron në një kategori më të lartë.
Sa i përket renditjes së përgjithshme të garës, vendin e parë e zuri piloti hungarez Lazlo Szasz, i cili përfaqëson klubin AK Dubrovnik të Kroacisë. Pas fitores së arritur më herët në garën e zhvilluar në Kullë të Kosovës, Szasz triumfoi edhe në etapën shqiptare, duke ruajtur avantazhin ndaj ndjekësve të tij.
Shaqiri u rendit i dyti në klasifikimin e përgjithshëm, me një diferencë minimale prej vetëm 5 sekondash nga vendi i parë, duke përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në këtë kompeticion të rëndësishëm ndërkombëtar.
/a.f//r.e/