AKMC: 19 vatra zjarri, nga të cilat gjashtë janë ende aktive

TIRANË, 7 korrik/ATSH/ Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 19 vatra zjarri, nga të cilat gjashtë vatra janë ende aktive. Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë e Finiqit, Vlorës, Elbasanit, Poliçanit, Beratit, Hasit, Bulqizës, Malësisë së Madhe, Lezhës, Kolonjës, Korçës, Tiranës, Kavajës e Fierit.
Sipas njoftimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, aktualisht mbeten aktive vatrat: në vendgrumbullimin e mbetjeve, në bashkinë Elbasan, ku edhe sot vijon puna për shuarjen e plotë të vatrës, pas izolimit të saj nga forcat operacionale, ditën e djeshme.
Puna vijon në vatrën e zjarrit midis fshatit Grazhdan, njësia administrative Livadhja dhe fshatit Malçan, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq. Gjatë natës forcat e MZSH Finiq dhe efektivët e Forcave të Armatosura qëndruan në monitorimin për të parandaluar ndonjë riaktivizim të mundshëm. Ditën e sotme zjarri vazhdon të jetë aktiv në zonën lindore të fshatit Leshinicë e Poshtme, por është larg zonës së banuar.
Gjithashtu, sipas AKMC-së, zjarri, në vendin e quajtur “Sotiran” ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë vazhdon të jetë aktiv në tri vatra të shpërndara. Terreni e vështirëson ndërhyrjen, por zjarri nuk paraqet rrezikshmëri për zonën.
AKMC njofton se aktive mbetet vatra në fshatin Zgërbonjë, njësia administrative Vërtop, bashkia Poliçan. Gjatë natës vatra e zjarrit u mbajt në monitorim nga MZSH Poliçan dhe ditën e sotme kafilluar puna për shuarjen e plotë të vatrës së fundit aktive me 10 efektivë dhe 5 forca bashkiake. Sipas një informacioni paraprak nga shërbimi pyjor deri ditën e djeshme janë përshkuar rreth 50 ha.
Në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, gjatë natës për shkak të erës dhe temperaturave të larta vatra e zjarrit është transferuar duke shtrirë në territor drejt “Malit të Bardhë”. Ditën e sotme në terren ndodhen1 automjet zjarrfikës me 11 efektivë, 5 forca pyjore dhe 10 forca bashkiake.
Në vendin e quajtur“Bjeshkët e Parrusë”, njësia administrative Shkrel, bashkia Malësi e Madhe pati një riaktivizim të vatrës së zjarrit. Ditën e sotme në terren ndodhen 6 efektivë nga MZSH, 5 forca bashkiake, 5 forca nga shërbimi pyjor dhe 8 forca vullnetare.
Si pasojë e zjarreve të rëna kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre e barishte janë djegur rreth 65 hektarë me bimësi.
“Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 37 automjete zjarrfikëse dhe 362 forca operacionale si dhe 8 automjete të rënda. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 104 efektivë, 6 automjete zjarrfikëse, 1 pompë thithëse dhe 1 traktor me zinxhirë”, thuhet në njoftim.
Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet nivel rrezik “I LART˔ pothuajse në të gjitha qarqet.
Në qarkun Durrës pritet nivel rrezik “I MODERUAR” dhe lokalisht rrezik “I LART˔ vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Durrës (jug).
I gjithë sistemi i mbrojtjes civile vijon të jetë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të shpejtë.
Në këtë situatë u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi maksimale: Mos ndizni zjarre në ambiente të hapura, mos digjni mbeturina, shmangni çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe njoftoni në kohë autoritetet vendore.
/e.i//a.f/