E Diel, 1 Nëntor 2026

Tromp: Specialja u krijua për ta kënaqur Serbinë, jo për drejtësi

PRISHTINË, 17 shtator/ATSH/ Procesi i apelit mund të sjellë ndryshime në dënimet që Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë i shqiptuan më 16 shtator kundër katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët i shpallën fajtorë për krime lufte, thotë Nevenka Tromp, hulumtuese e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Por, Tromp, e cila ka ndjekur nga afër edhe procesin ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit në atë që njihet edhe si Gjykata Speciale e Kosovës, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL) se më i mundshëm është një ndryshim i pjesshëm sesa i plotë i aktgjykimit ndaj tyre.

Para intervistës, në disa komente për REL-in, Tromp e cilësoi si “mëkat fillestar” të Dhomave të Specializuara faktin që, sipas saj, ato u konceptuan për ta “kënaqur” Serbinë, dhe jo si një institucion i mirëfilltë i përcaktimit të përgjegjësisë.

Ajo vlerësoi se gjykata u krijua më 2015 si çmim për vazhdimin e mbështetjes perëndimore për Kosovën, “me pritjen se lëshimet ndaj Beogradit do të çonin drejt njohjes së pavarësisë” së shtetit.

Sipas Trompit, aktgjykimi kundër katër ish-krerëve të UÇK-së ka pasoja përtej përgjegjësisë së tyre individuale. Ajo veçon konstatimin për “ndërmarrjen e përbashkët kriminale” dhe përmendjen në aktgjykim të personave që nuk ishin të pandehur në këtë çështje. /REL/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›