Tronditje në tregjet globale, Gjiri Persik dhe Izraeli ndalin prodhimin e naftës dhe gazit mes përshkallëzimit të konfliktit

Përshkallëzimi i shpejtë i konfliktit ushtarak në Lindjen e Mesme ka shkaktuar një krizë të menjëhershme në tregjet botërore të energjisë. Pas sulmeve të fundit të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, dhe hakmarrjes së këtij të fundit, vendet kryesore të Gjirit Persik, së bashku me Izraelin, kanë marrë masa drastike duke pezulluar prodhimin në pikat kyçe të naftës dhe gazit natyror.
Frika nga sulmet e drejtpërdrejta me dronë në infrastrukturën energjetike dhe rreziqet e larta të transportit detar përmes Ngushticës së Hormuzit, kanë detyruar gjigantët e energjisë të ulin qepenat, duke kërcënuar sigurinë energjetike të Evropës dhe botës.
Katari mbyll kompleksin jetik të gazit (LNG)
Në një lëvizje paraprake për të shmangur katastrofat infrastrukturore, Katari ka ndaluar prodhimin e Gazit Natyror të Lëngshëm (LNG). Ky vendim erdhi menjëherë pas raportimeve për sulme me dronë në kompleksin industrial Ras Laffan, qendra kryesore ku gazi natyror ftohet dhe kthehet në gjendje të lëngshme për t’u eksportuar me anije.
Rëndësia e këtij bllokimi është kolosale. Prodhimi i Katarit përbën rreth 20% të furnizimit global me LNG. Ky pezullim godet veçanërisht Evropën, e cila është mbështetur fuqishëm te Katari për të zëvendësuar varësinë e saj nga gazi rus pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Ndikimi ishte i menjëhershëm në çmimet e gazit. Tregu referues evropian (TTF) pësoi një rritje dramatike brenda pak orësh. Çmimi kaloi nga 32 euro për megavat orë (MWh) në fund të javës së kaluar, në mbi 44 euro për MWh deri mesditën e sotme.
Sulme në Arabinë Saudite dhe bllokim në rajon
Situata paraqitet po aq kritike në sektorin e naftës bruto. Në Arabinë Saudite, rafineria më e madhe e vendit ka ndërprerë operacionet pas një sulmi me dron të hënën. Gjigandi shtetëror Saudi Aramco është detyruar të nxjerrë jashtë linje rafinerinë e saj në Ras Tanura, e cila përpunon rreth 550,000 fuçi naftë në ditë.
Efekti domino i kësaj pasigurie është shtrirë në të gjithë rajonin. Pjesa më e madhe e prodhimit të naftës në Kurdistanin irakian dhe në Izrael është nxjerrë gjithashtu jashtë linje.
Ky bllokim ka penguar rëndë eksportet e planifikuara drejt Egjiptit dhe tregjeve të tjera rajonale.
Nafta thyen rekordet e dy viteve të fundit
Kombinimi i mbylljeve të prodhimit dhe rrezikut që i kanoset rrugëve detare të transportit ka sjellë një reagim agresiv në bursa. Çmimi i naftës bruto kërceu menjëherë mbi 80 dollarë për fuçi, duke shënuar nivelin më të lartë që nga janari i vitit 2025. Ky kapërcim tejkalon madje edhe rritjet e shënuara gjatë përplasjeve të shkurtra izraelito-iraniane në verën e atij viti.
Analistët theksojnë se situata mbetet tejet e paqëndrueshme. Irani, i cili është përgjegjës për rreth 5% të furnizimeve globale me naftë, mban në dorë çelësin e qarkullimit në Ngushticën e Hormuzit, duke e kthyer rajonin në një fuçi baruti jo vetëm ushtarake, por edhe ekonomike.
/rtsh.al/