6 500 vende pune të lira, papunësia zbret në nivel rekord 8,1%

TIRANË, 2 mars/ATSH/ Në Portalin Kombëtar të Punësimit, puna.gov.al, i krijuar për të mbështetur tregun shqiptar të punës, janë tashmë të shpallura 6500 vende pune në të gjitha qytetet e Shqipërisë.
Portali ofron informacion mbi vendet e lira të punës duke mbështetur tregun në pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë.
Ndërmarrjet hoteliere, industria nxjerrëse, prodhimet artizanale, arsimi dhe formimi profesional, industria ushqimore, administrata publike dhe ndërtimi janë edhe sektorët që kanë më tepër kërkesa për punësim.
Tashmë çdo punëkërkues plotëson online dosjen respektive dhe çdokush gjen punën më të mirë të mundshme apo kandidatin më të mirë për një vend pune përmes “puna.gov.al”.
Edhe punëdhënësit mund të futen në këtë portal dhe të publikojnë vendet e lira të punës, si dhe të lidhen me punëkërkuesit.
Aksesi në platformë realizohet duke vendosur të njëjtat kredenciale si në portalin “e-Albania”.
Në 2025-ën, papunësia zbriti në nivelin më të ulët historik, prej 8,1%.
Kjo është hera e parë në tri dekadat e fundit që Shqipëria ka një normë papunësie njëshifrore. /j.p/