E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Trump Gold Card”, 1 mln dollarë, vizë për ata që paguajnë shumën dhe që mund të japin përfitime të mëdha për SHBA

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka prezantuar një skemë që mundëson sigurimin e vizës amerikane për një periudhë afatgjatë për të pasurit që mund të paguajnë të paktën 1 milion dollarë.

Skema, e quajtur “Trump Gold Card”, përshkruhet si një “rrugë e drejtpërdrejtë drejt shtetësisë për të gjithë personat e kualifikuar dhe të verifikuar”.

“Sa emocionuese! Kompanitë tona të mrekullueshme amerikane më në fund do ta mbajnë talentin e tyre të çmuar”, tha Trump.

E ashtuquajtura Karta e Artë Trump është prezantuar për herë të parë më herët gjatë këtij viti, dhe atë mund ta blejnë ata që dëshmojnë se do t’iu ofrojnë Shteteve të Bashkuara “përfitime domethënëse”.

Skema e re premton sigurimin e lejes së qëndrimit në SHBA në “kohë rekord” dhe kushton 1 milion dollarë, për të vërtetuar se një individ do të kontribuojë shumë për SHBA-në.

Bizneset që sponsorojnë vizat për punëtorët e huaj duhet të paguajnë 2 milionë dollarë, pa përfshirë tarifat shtesë.

Një version tjetër i vizës, që parasheh edhe kushte shumë të favorshme për taksa, është thënë se do të jetë i aksesueshëm shumë shpejt për 5 milionë dollarë.

Tarifat shtesë qeveritare mund të ndryshojnë në varësi se kush aplikon.

Kur Kreu i Shtëpisë së Bardhë e ka prezantuar planin për herë të parë, ai i ka përshkruar vizat të ngjashme me ato ekzistuese në kuadër të programit të njohur si “karta e gjelbër”, e cila u mundëson emigrantëve me të ardhura të ndryshme që të jetojnë dhe punojnë përgjithmonë në Shtetet e Bashkuara.

Që prej shpalljes në shkurt, programi është kritikuar ashpër nga demokratët, të cilët argumentojnë se skema është një derë e hapur vetëm për të pasurit, duke minuar parimin e trajtimit të barabartë në sistemin e emigracionit.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›