Trump: Marrëveshja e armëpushimit me Iranin ka mbaruar

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar nga samiti i NATO-s se marrëveshja e armëpushimit me Iranin ka mbaruar. Ai ka sulmuar udhëheqjen iraniane duke e quajtur atë “të çmendur” pas shkëmbimeve të reja të zjarrit gjatë natës.
Duke folur me gazetarët në samitin e NATO-s në Turqi, Trump tha se SHBA “i goditën shumë fort natën e kaluar” dhe “ndoshta do t’i godasë fort përsëri sonte”.
Trump akuzoi Teheranin se ka shkelur marrëveshjen e përkohshme të nënshkruar nga të dyja palët në qershor, duke thënë se ata “gënjejnë” dhe “mashtrojnë”.
Një këshilltar i lartë i liderit suprem të Iranit, Ali Akbar Velayati, paralajmëroi se goditjet e reja amerikane do të përballen me “përgjigje të menjëhershme”.
Nata e së martës në të mërkurën shënoi shkëmbimin më të rëndë të goditjeve mes SHBA-së dhe Iranit që nga nënshkrimi i marrëveshjes më 17 qershor.
Marrëveshja përfshinte 14 pika, mes të cilave një periudhë 60-ditore armëpushimi gjatë së cilës duhej të vazhdonin negociatat, kalimi i sigurt i anijeve në Ngushticën e Hormuzit dhe heqja e sanksioneve amerikane ndaj Iranit.
Kur u pyet për marrëveshjen në samitin e NATO-s Trump tha: “Mendoj se ka mbaruar. Nuk dua të merrem më me ta, janë skumë… udhëhiqen nga njerëz të sëmurë dhe janë njerëz të egër, të dhunshëm.”
“Ne bëjmë një marrëveshje… Ata dalin, flasin me shtypin dhe thonë ‘nuk kemi folur asnjëherë për këtë’. Diçka nuk shkon me ta. Janë të çmendur. Sa për mua, ka mbaruar”, u shpreh Trump.
Presidenti amerikan shtoi se negociatorët amerikanë mund të vazhdojnë bisedimet “nëse duan”, por e konsideron si “humbje kohe”.
Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) njoftoi se të martën kreu goditje “të fuqishme” si përgjigje ndaj sulmeve ndaj tre tankereve në Ngushticën e Hormuzit.
Të mërkurën, Irani deklaroi se ka goditur objektiva ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt si hakmarrje. SHBA-ja njoftoi gjithashtu se ka anuluar pezullimin e përkohshëm të sanksioneve ndaj shitjeve të naftës iraniane.
Çmimet e naftës u rritën pas deklaratave të Trumpit, por mbeten larg niveleve të larta të regjistruara gjatë mbylljes së plotë të ngushticës.
Media shtetërore iraniane raportoi se tetë ushtarë të ushtrisë iraniane janë vrarë në goditjet amerikane në Bandar Abbas dhe Bushehr, në jug të Iranit.
Centcom tha se më shumë se 20 anije luftarake të Marinës Amerikane vazhdojnë patrullimet në ujërat e Lindjes së Mesme.
/rtsh.al/