E Premte, 6 Nëntor 2026

Trump shpall Zyrën Ovale monument kombëtar: Asnjë president të mos e ndryshojë

Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një proklamatë për shpalljen e Zyrës Ovale dhe Sallës së Kabinetit në Shtëpinë e Bardhë si monument kombëtar, duke pretenduar se ky vendim do të mbrojë ambientet historike nga ndryshimet e mundshme nga presidentët e ardhshëm.

Gjatë ceremonisë së firmosjes, Trump deklaroi se Zyra Ovale është një simbol i rëndësishëm i presidencës amerikane dhe se nuk duhet të ndryshohet apo të shkatërrohet për t’u zëvendësuar me ambiente të tjera.

“Nuk do të lejohet të preket nga askush, të shkatërrohet nga njerëz budallenj, për të ndërtuar diçka në një formë paksa të ndryshme. Na pëlqen Zyra Ovale dhe është një simbol, si vetë Shtëpia e Bardhë”, u shpreh Trump.

Megjithatë, proklamata nuk i ndalon plotësisht presidentët e ardhshëm të bëjnë ndryshime në këto ambiente dhe as nuk përjashton mundësinë që një pasardhës i Trump ta revokojë vetë vendimin.

Dokumenti parashikon se presidenti ruan autoritetin për të ndryshuar mobiliet, dekorin dhe për të kryer ndërhyrje të zakonshme që lidhen me funksionimin dhe sigurinë, për sa kohë ato nuk dëmtojnë ndjeshëm strukturën historike dhe karakterin arkitekturor të monumentit.

Proklamata ngarkon sekretarin e Brendshëm me administrimin e Zyrës Ovale dhe kërkon dokumentim, shqyrtim dhe vlerësim të alternativave përpara çdo ndërhyrjeje që mund të ndryshojë ose shembë në mënyrë të konsiderueshme strukturën historike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›