Trump shqyrton një sulm të ri ndaj Iranit më 9 nëntor


Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e rifillimit të sulmeve ushtarake ndaj Iranit, ndërsa në Shtëpinë e Bardhë janë zhvilluar disa takime me ekipin e sigurisë kombëtare për të vlerësuar hapat e mëtejshëm.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, një nga datat që po përmendet si mundësi për një operacion të ri është 9 nëntori, pasi përkon me Hënën e Re në Lindjen e Mesme, duke krijuar kushte me ndriçim minimal gjatë natës. Megjithatë, deri më tani nuk ka një vendim përfundimtar për sulme të reja.
Në tryezën e diskutimeve të Trump janë tre skenarë: rifillimi i bombardimeve në shkallë të gjerë, vazhdimi i presionit ekonomik dhe ushtarak përmes bllokadës detare, ose arritja e një marrëveshjeje diplomatike me Teheranin.
Ndërkohë, Irani ka përcjellë përmes Katarit një propozim të ri për programin e tij bërthamor. Teherani kërkon plotësimin e shtatë kushteve, mes tyre heqjen e sanksioneve amerikane, lirimin e aseteve të ngrira dhe dëmshpërblime për dëmet e luftës. Përplasjet mes këshilltarëve të Trump janë gjithashtu të dukshme: zëvendëspresidenti JD Vance favorizon një marrëveshje diplomatike, ndërsa drejtori i CIA-s dhe sekretari i Thesarit mbështesin vazhdimin e presionit ndaj Iranit.
Në të njëjtën kohë, autoritetet iraniane kanë nisur shpërndarjen e tabletave të jodit për familjet që jetojnë pranë objekteve bërthamore, si masë parandaluese ndaj rrezikut të një incidenti radioaktiv në rast sulmesh. Edhe Iraku ka shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e situatës, duke paralajmëruar se territori i tij nuk duhet të përdoret si bazë për sulme kundër vendeve fqinje.