E Hënë, 2 Nëntor 2026

Trump urdhëron testimin e armëve bërthamore, nuk ndodhte prej më shumë se 30 vjetësh

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka urdhëruar ushtrinë amerikane të enjten ta rifillojë menjëherë testimin e armëve bërthamore, pas një ndërprerjeje 33-vjeçare.

Trump e bëri këtë njoftim të papritur në rrjetin Truth Social derisa po udhëtonte në helikopterin presidencial për t’u takuar me liderin e Kinës, Xi Jinping, në Busan të Koresë së Jugut.

“Për shkak të programeve të testimit të vendeve të tjera, kam udhëzuar Departamentin e Luftës të fillojë testimin e armëve tona bërthamore në mënyrë të barabartë. Ky proces do të fillojë menjëherë”, shkroi Trump.

“Rusia është e dyta, dhe Kina është shumë prapa, por do të na arrijë brenda pesë vjetësh”, shtoi ai.

Një mesazh i koduar për Moskën dhe Pekinin

Në sfondin e tensioneve të vazhdueshme me Rusinë dhe Kinën, ky vendim shihet si pjesë e një strategie demonstrative të forcës.

Nga njëra anë, Vladimir Putin vazhdon të kërcënojë Perëndimin me retorikë agresive dhe testime raketash, ndërsa nga ana tjetër, Xi Jinping ka urdhëruar ushtrinë kineze të jetë “gati për pushtimin e Tajvanit” deri në vitin 2027.

Sipas analistëve ndërkombëtarë, Trump mund të ketë synuar që përmes këtij hapi të paralajmërojë kundërshtarët gjeopolitikë se SHBA-të mbeten forca dominuese ushtarake në botë dhe nuk kanë ndërmend të lejojnë asnjë lloj barazimi strategjik.

Vendimi vjen gjithashtu në një moment kritik për luftën në Ukrainë, ku përpjekjet diplomatike për paqe mbeten të ngadalta. Burime pranë administratës amerikane pohojnë se ky veprim mund të jetë pjesë e një taktike presioni ndaj Rusisë, për ta detyruar të marrë seriozisht negociatat për përfundimin e luftës.

Reagimet ndërkombëtare

Reagimi i parë publik erdhi nga Pekini. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, deklaroi “Kina shpreson që Shtetet e Bashkuara të respektojnë detyrimet e tyre sipas Traktatit për Ndalimin e Plotë të Testeve Bërthamore dhe të marrin masa konkrete për të mbrojtur sistemin global të çarmatimit dhe stabilitetin strategjik ndërkombëtar.”

Në qarqet diplomatike perëndimore, ky vendim shihet si një shenjë kthimi në logjikën e Luftës së Ftohtë, në një kohë kur rendi botëror përballet me sfida të shumta, nga konflikti në Ukrainë te rritja e tensioneve në Detin e Kinës Jugore.

Megjithëse disa ekspertë e interpretojnë këtë lëvizje si një taktikë negociuese afatshkurtër, të tjerë paralajmërojnë se rikthimi i testimeve bërthamore mund të minojë dekada përpjekjesh për çarmatim dhe të çojë në një spirale të re armatimesh midis fuqive të mëdha.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›