Tryeza e Berishës me aleatët, Alimadhi: Marrëveshjet bëhen nga lart pa konsultim, bashkëpunimi opozitar nuk është respektuar

Kryetari i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, mori pjesë sot në takimin me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar, ku në qendër të diskutimeve u vendosën reforma zgjedhore dhe ajo territoriale.
Gjatë diskutimeve u theksua se reforma e ardhshme nuk duhet të kufizohet vetëm në ndryshimet e Kodit Zgjedhor, por duhet të shtrihet më gjerë, duke adresuar problematika që lidhen me funksionimin e sistemit politik, administratës publike dhe shërbimit civil.
Kryetari i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, e përqendroi fjalën e tij te disa çështje kyçe, duke e cilësuar sistemin aktual si të “kapur”.
“Mos të preket buxheti i shtetit dhe asnjë parti politike të mos marrë financim. Kjo është gjëja më e madhe që mund t’u themi shqiptarëve,” u shpreh Alimadhi, duke e quajtur sistemin aktual të padrejtë, ku partitë e vogla marrin fonde vetëm sa “për t’u mbajtur gjallë”.
Një tjetër problem i ngritur ishte procesi i numërimit të votave, të cilin e cilësoi si një “gangrenë” që vonon shpalljen e rezultateve për ditë të tëra.
“Duhet të shtohen grupet e numërimit për të përshpejtuar procesin,” propozoi ai.
Duke iu referuar bashkëpunimit opozitar, Alimadhi shprehu pakënaqësi për mungesën e respektit dhe përfshirjes së partive të vogla.
“Na lejoni ta shtrijmë edhe pak, si me thënë, pak më shumë këtë takim, sepse dihet nga problematikat që ne kemi. ose na bie rrallë rasti, se para zgjedhjeve ju na ftoni, në fakt, edhe pastaj kur i mbyllni ato, nuk na pyesni fare, ose e mbyllni telefonin edhe s’doni t’ia dini për ne fare. Është shumë e çuditshme kjo me thënë të drejtën. Kam një bashkëpunim mbi 20 vjet dhe nuk e kam gjetur një respekt të tillë. E them me keqardhje, sinqerisht” u shpreh ai.
Në vijim, Alimadhi akuzoi kryeministrin Edi Rama për kapjen e sistemit dhe manipulimin e zgjedhjeve.
Duke folur për përvojën e tij si deputet, Alimadhi kujtoi se ka qenë i vetmi që mori mandat me kod pjesëmarrjeje dhe se nuk ka votuar pothuajse asnjë ligj.
“Kam qenë opozitar i vetëm dhe nuk kam votuar ligjet e sjella nga PD dhe PS. Mos e përzini kështu, se i bëni pis edhe të tjerët,” theksoi ai.
Në përfundim, Alimadhi kërkoi një qasje konkrete për sistemin zgjedhor, duke e cilësuar atë si tërësisht të kapur.
“Na thoni ju, zotërinj, çfarë sistemi keni në parasysh? O do ta lëshojmë sistemin, ose duhet të gjejmë një formulë që të prodhojë prurjen e votuesve,” u shpreh ai, duke shtuar se financimi i subjekteve politike mbetet një nga problemet më të mëdha që duhet adresuar.
Gjatë diskutimeve, Adriatik Alimadhi, shprehu kritika të forta ndaj mënyrës se si Partia Demokratike ka menaxhuar procesin e marrëveshjeve dhe bashkëpunimin opozitar.
Ai theksoi se shpesh vendimet janë marrë pa konsultim të gjerë me aleatët, duke lënë jashtë partitë e vogla dhe duke i vendosur ato përballë një sistemi të mbyllur.
“Unë personalisht, sepse dua të kundërshtoj një çikë zotin Bylykbashi, unë e mora mandatin në fakt dhe kam qenë i vetmi deputet me kod pjesëmarrje dhe e kam kundërshtuar këtë. Mos thoni që, të lutem, po mos thoni ju që s’bashkëpunonit. PD-ja i sillte marrëveshjet që andej dhe të gjithë deputetët që ishin atje, kur do votonin. Nuk është e mirë kjo të na e hidhni ne. Sepse edhe ata ishin kandidatët po të zgjedhur të vendosur nga lista e Partisë Demokratike. Pra, kam qenë i vetmi deputet që e kam kundërshtuar dhe s’kam votuar pothuajse asnjë ligj. Dhe kam qenë opozitar i vetëm. Po mos e përzini kështu se i bëni pis edhe të tjerët.”
/rtsh.al/