E Martë, 3 Nëntor 2026

Tryeza mbi sfidat dhe reformimin e RTSH, gazetarë dhe politikëbërës dakordësi për projektin e ri

TIRANË, 9 korrik/ATSH/ Radio Televizioni Shqiptar zhvilloi sot një tryezë diskutimi me drejtues dhe përfaqësues të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Edukimit Publik dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive, ekspertë të medies, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe të organizatave vendase e të huaja.

Qëllimi kryesor ishte diskutimi i sfidave aktuale me të cilat përballet televizioni publik dhe ndërtimi i një vizioni të qartë për të ardhmen.

Drejtoresha e përgjithshme e televizionit publik shqiptar, Eni Vasili, u ndal tek gjendja ku ndodhet sot RTSH-ja, duke theksuar nevojën e një ndryshimi që do të mbështetet tek projekti i ri, që në qendër ka vendosjen e identitetit të RTSH-së.

Një ndër pikat e vizionit për reformimin, sipas Vasilit, është rritja e pagave për punonjësit e televizionit publik.

“Stafi i RTSH-së duhet të trajtohet me më shumë dinjitet, kushte pune të përmirësuara dhe trajtim më të mirë financiar. Ndërkohë RTSH-ja duhet të rikthehet në rolin e saj historik si një shkollë mediatike që formon dhe përgatit brezat e rinj”, tha Vasili.

Vasili tha se “çdo kanal i RTSH-së duhet të ketë profil tematik të mirëpërcaktuar, për të garantuar qartësi për publikun dhe për të rritur ndikimin në segmentet përkatëse të audiencës. Në përputhje me praktikat më të mira europiane për mediet publike, nevojitet që strukturimi për RTSH-në të ndjekë modelin ‘2 plus 7’: dy kanale bazë të përgjithshme, pra, RTSH 1 dhe RTSH 2, dhe 7 kanale tematike me funksione të qarta, ku çdo kanal të ketë identitet dhe strukturë programore të dedikuar”.

“Një programacion i bazuar në formate që kanë në fokus informacionin e përditshëm dhe temat aktuale, nga e hëna në të premte, do të reflektojë më mirë standardet e kërkuara. RTSH-ja duhet të orientohet drejt formateve që forcojnë ndërveprimin me publikun dhe të përfshijnë në programacion zëra nga të gjitha shtresat sociale, komunitetet etnike dhe fetare, në funksion të një medieje publike për të gjithë, duke mos lënë mënjanë argëtimin dhe zbavitjen nëpërmjet patentave të suksesshme ndërkombëtare”, deklaroi Vasili.

Nevojën për një reformë të qëndrueshme e nënvizoi edhe kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli.

Sipas tij, RTSH-ja ka nevojë urgjente për një formulë të re financimi. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe nënkryetari i Këshillit Drejtues, Petrit Beci, i cili më parë e ka drejtuar RTSH-në.

Në një klimë pozitive bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës, kryetarja dhe nënkryetarja e komisionit të medies, Ina Zhupa dhe Evis Kushi, shprehën njëzëri dakordësinë në mbështetje të projektit të frymës së re në RTSH.

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi shprehu gatishmërinë për çdo lloj bashkëpunimi që RTSH mund të ketë nevojë, në mënyrë që të forcojë rolin dhe efektivitetin e saj, si një media e qenësishme në tregun audioviziv shqiptar.

“Marrëdhënia ligjore AMA-RTSH është e përcaktuar në ligjin organik të AMA-s. Në funksion të kompetencave të Autoritetit, një nga detyrat kryesore tonat është edhe monitorimi dhe zbatimi i kontratës midis dy institucioneve. Aktualisht ne jemi në fazën e ndryshimeve ligjore, përafrimin e mëtejshëm me aktet dhe legjislacionin europian, prandaj çdo nevojë a propozim për bashkëpunim nga ana e RTSH-së, qoftë edhe mbështetje për ndryshime të mëtejshme ligjore, janë të mirëpritur në AMA”, tha Krasniqi.

Krasniqi u shpreh se “mbetemi në komunikim të vazhdueshëm për të përmirësuar më tej bashkëpunimin institucional dhe mbështetjen për përmbushjen e vizionit të drejtuesve të rinj për të ardhmen”.

Në tryezë ishin të pranishëm edhe ekspertë dhe figura të njohura gazetarisë televizive, të cilët e kanë nisur karrierën në RTSH dhe mbeten sot thellësisht të ndjeshëm ndaj problematikave të këtij institucioni.

Kjo konferencë gjithëpërfshirëse, që u shënjua me nota dhe mesazhe konstruktive, është një hap i rëndësishëm drejt një bashkëpunimi më të gjerë dhe pozitiv për të adresuar sfidat e RTSH-së dhe për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme për medien publike shqiptare.

Tryezë dialogu e organizuar nga RTSH, mbi sfidat aktuale të institucionit dhe vizionin për të a... 1 nga 14

/k.s//r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›