E Martë, 3 Nëntor 2026

Tryezë për një qeverisje më të hapur dhe llogaridhënëse në Tiranë

TIRANË, 20 qershor/ATSH/ Qendra e Aleancës Gjinore për Zhvillim (GADC) zhvilloi sot një tryezë që shërbeu si një platformë për të ndarë progresin e deritanishëm, për të identifikuar sfidat dhe për të propozuar hapa të mëtejshëm për forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje.

Kjo tryezë u organizua në kuadër të projektit “Rrjeti POP për Qeverisje të Mirë dhe Integritet”, POP – Përballja e Ofertave Politike i mbështetur nga “Olof Palmes Internationella Center” dhe Ambasada e Suedisë në Tiranë.

Në këtë takim morën pjesë nënkryetarja e bashkisë Tiranë, Keti Luarasi, kryetarja e këshillit bashkiak Megi Fino, drejtues të drejtorive të bashkisë që kanë qenë të angazhuar në zbatimin e prioriteteve të Kontratës Sociale, si edhe administratorë të njësive të ndryshme administrative të Tiranës.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim, Mirela Arqimandriti e hapi tryezën duke theksuar rëndësinë e Kontratës Sociale si një instrument i provuar për fuqizimin e dialogut ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve vendore.

Arqimandriti tha se “në kontratën e mëparshme 2019–2023 u arrit të adresoheshin rreth 85% e prioriteteve të qytetarëve, ndërsa në kontratën aktuale për periudhën 2023–2027, tashmë në vitin e dytë të monitorimit, janë adresuar rreth 45% e tyre”.

Në fjalën e saj, ajo vlerësoi rolin e GADC dhe Rrjetin POP jo vetëm si monitoruese të procesit, por si një urë bashkëpunimi dhe ndërtimi besimi mes komunitetit dhe institucioneve.

Kryetarja e këshillit bashkiak, Megi Fino tha se “në një qytet si Tirana, dinamik dhe plot energji, vendimmarrja nuk mund të ndodhë në zyrë, por duhet të udhëhiqet nga realiteti i përditshëm i qytetarëve tanë. Prandaj, qytetarët nuk janë vetëm përfitues pasivë të shërbimeve publike, por bashkë-krijues të politikave dhe bashkëmonitorues të zbatimit të tyre. Në këtë kuptim, Kontrata Sociale 2023–2027 nuk është thjesht një dokument. Është një instrument konkret për të institucionalizuar pikërisht këtë qasje: një qeverisje më të drejtë, më të hapur dhe më llogaridhënëse”.

“Për këshillin bashkiak të Tiranës kjo kontratë është një udhërrëfyes i qartë, një marrëveshje publike që vendos në qendër zërin, nevojat dhe prioritetet e qytetarëve. Në këtë proces, roli i shoqërisë civile është thelbësor. Rrjeti POP dhe organizatat partnere kanë treguar se janë jo vetëm zëra të angazhuar, por edhe partnere serioze për qeverisjen vendore”, tha Fino.

Ndërsa nënkryetarja e bashkisë Tiranë, Keti Luarasi tha se “Kontrata Sociale është një mjet efektiv që prej vitesh ndihmon në vendosjen e prioriteteve të qytetarëve në qendër të punës institucionale”.

Ajo vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me GADC jo vetëm në kuadër të Rrjetit POP, por edhe për nisma të tjera të përbashkëta, duke e konsideruar këtë tryezë si një moment të rëndësishëm për të parë qartë se ku duhet të përqendrohen më shumë përpjekjet.

Hapat e mëtejshëm të diskutuar gjatë tryezës përfshijnë disa propozime konkrete që synojnë thellimin e bashkëpunimit dhe ndjekjen sistematike të angazhimeve të Kontratës Sociale. Ndër këto u përmendën: krijimi i një kalendari të përbashkët i takimeve monitoruese; përgatitja e një raporti vjetor të thjeshtuar për qytetarët; emërimi i pikave kontaktuese në drejtori të ndryshme për të ndjekur përparimin sipas fushave prioritare, si dhe zhvillimi i takimeve të hapura në njësitë administrative, me qëllim forcimin e dialogut të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe organizatat vendore.

1 nga 7

/k.s//r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›