E Martë, 3 Nëntor 2026

Rindërtimi, Sako: Brenda javës dorëzohen çelësat e shtëpive të reja për 132 familje

TIRANË, 20 qershor /ATSH/ 132 familje në Durrës, të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, janë bërë me shtëpi të reja.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako bëri të ditur se është zhvilluar sot shorteu publik ku janë shpërndarë apartamentet të cilat i përkasin pallatit në rrugën “Ramadan Veliu”.

Sako tha se “brenda javës që vjen banorëve do t’u dorëzohen çelësat e shtëpive, për të nisur një fillim të ri me banesat e tyre të reja të dhuruara falas, më të mira e më të sigurta seç i kishin më parë”.

Ndërsa, qytetarët përmes mesazheve të tyre falënderojnë bashkinë e Durrësit dhe të gjithë personat e angazhuar në këtë proces.

“Jemi shumë të kënaqur për shortin, më së fundi do hyjmë brenda në shtëpitë tona. Ky është shorteu më i shkëlqyeshëm që kam parë”, shprehen disa prej tyre.

“Sot përfunduam me sukses edhe shorteun e radhës për shpërndarjen e apartamenteve në pallatin “Kastrati”, njësia administrative numër 5. Janë 16 familje, të cilat përfunduan me sukses shorteun sot, që ishte vijimi i shorteut të djeshëm ku 116 familje u pajisën me shtëpi të reja. Pra, ne kemi finalizuar me sukses procesin e strehimit për 132 familje, të cilat do të marrin çelësat e apartamenteve të reja dhe bashkëkohore nga e marta e javës tjetër”, shprehet një nga anëtarët e jurisë së shorteut për apartamentet e programit të Rindërtimit.

/e.i//r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›