E Martë, 3 Nëntor 2026

Turistja spanjolle pëson dëmtime në plazhin e Filikurit, ndihmohet nga policia dhe pushuesit

TIRANË, 9 qershor /ATSH/ Policia e Himarës dhe pushues të rastësishëm i erdhën në ndihmë një turisteje spanjolle, që kishte kërkuar ndihmë, pasi ishte rrëzuar dhe kishte pësuar dëmtime në kokë, në zonën e plazhit të Filikurit.

Ngjarja ndodhi sot, rreth orës 16:00, kur Salla Operative njoftoi patrullën e rendit të Komisariatit të Policisë Himarë për një shtetase të huaj që kishte kërkuar ndihmë, pasi ishte rrëzuar dhe kishte pësuar dëmtime në kokë.

Menjëherë pas marrjes së informacionit, shërbimet e policisë u nisën drejt vendngjarjes dhe konstatuan se turistja ishte bllokuar në një zonë të vështirë për t’u aksesuar.

Punonjësit e policisë, së bashku me disa pushues që ndodheshin aty pranë, organizuan nxjerrjen e saj nga vendi ku ishte rrëzuar dhe mundësuan transportimin e saj me ambulancë drejt Qendrës Shëndetësore të Himarës, ku ndodhet aktualisht nën kujdesin e mjekëve.

Policia e Himarës falënderoi pushuesit për solidaritetin dhe gatishmërinë për të ndihmuar në situata të tilla, duke theksuar se mbetet e angazhuar për të garantuar sigurinë dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme për çdo qytetar dhe vizitor në zonën e saj. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›