Turqi/ E goditi papritur me shuplakë në vesh jashtë supermarketit, gruaja humb dëgjimin, arrestohet 38-vjeçari

Një 38-vjeçar është arrestuar në qytetin e Nevşehirit në Turqi, pasi dyshohet se goditi papritur me shuplakë në vesh një grua jashtë një supermarketi, duke i shkaktuar humbjen e dëgjimit në veshin e majtë.
Ngjarja ndodhi në lagjen Kapucubaşı, ku Tolga Çelik iu afrua nga pas gruas me inicialet S.E. dhe e goditi ku momenti u filmua nga kamerat e sigurisë.
Pas incidentit, gruaja iu drejtua policisë dhe bëri kallëzim. Ekzaminimet mjekësore konfirmuan se ajo kishte humbur dëgjimin në veshin e majtë, ndërsa raporti përcaktoi se dëmtimi nuk mund të trajtohej me një ndërhyrje të thjeshtë.


Sipas mediave turke gjatë marrjes në pyetje 38-vjeçari mohoi ta kishte goditur qëllimisht duke pretenduar se bëhej fjalë për një kontakt aksidental.
Pas hetimeve, çështja u dërgua në gjykatë, e cila vendosi arrestimin e tij. I dyshuari u dërgua në burg, ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë kanë dokumentuar të gjithë momentin e ngjarjes.