U gjet pa ndenja në burgun “Jordan Misja”, ndërron jetë në QSUT i paraburgosuri

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Një i paraburgosur në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) “Jordan Misja” ndërroi jetë sot, rreth orës 08:00 në ambientet e Urgjencës së QSUT-së.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rreth orës 07:00 të datës 24 korrik, personeli infermieror është njoftuar se shtetasi Besnik Koçiu i ditëlindjes 26.10.1974, ishte pa ndjenja në dhomën e tij.
Në njoftim thuhet se ai është transportuar menjëherë me urgjencë në QSUT në orën 07:08, ku ka mbërritur në orën 07:12 dhe është trajtuar nga ekipi mjekësor i urgjencës. Pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, në orën 08:00 është konfirmuar ndarja nga jeta.
“Shtetasi Koçiu në momentin e pranimit në institucion ka deklaruar se vuante nga diabet mellitus, hipertension arterial dhe një AVC ishemik të kaluar rreth gjashtë muaj më parë, për të cilat kishte terapi të vazhdueshme referencë për të cilën i është hapur dhe kartelë mjekësore për kryerjen e ekzaminimeve të vazhdueshme”, thuhet në njoftim.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, shtetasi Koçiu ishte në hetim për veprën penale “Armëmbajtje pa leje dhe prodhim i armëve”.
Ngjarja është referuar menjëherë autoriteteve përkatëse.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit.
/e.i/j.p/