E Hënë, 2 Nëntor 2026

AKMC: 34 vatra zjarri të raportuara, 8 ende aktive dhe 3 në monitorim

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile informoi sot lidhur me situatën e zjarreve në vend.

Sipas AKMC, gjatë 24 orëve të fundit, janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 8 vijojnë të jenë ende aktive dhe 3 janë në monitorim.

Situata më problematike është evidentuar në qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër, Elbasan dhe Gjirokastër.

AKMC bën të ditur se, në vatrën e zjarrit, në vendin e quajtur “Maja e Paliskës”, mbi fshatin Dukat pati një përmirësim të situatës pas ndërhyrjes edhe nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Por më vonë në mbrëmje zjarri u riaktivizua. Gjatë natës vatra është mbajtur në monitorim nga forcat zjarrfikëse. Ditën e sotme në terren kanë shkuar forca nga strukturat vendore dhe 40 efektivë nga Forcat e Armatosura. Pritet gjithashtu edhe ndërhyrje nga ajri me 1 helikopter të Forcës Ajrore.

Po ashtu, në vatrën e zjarrit pranë Parkut Kombëtar të Lurës, dje u ndërhy edhe me avionin Canadair kroat nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile, gjë që solli një përmirësim të situatës në njërën nga vatrat. Megjithë përpjekjet e forcave operacionale në terren, nuk u arrit të shuhej zjarri. Puna po vijon sërish sot.

Sipas AKMC, një tjetër vatër problematike është ajo në vendin e quajtur “Përroi i Zi” , ku dje, ndërhyrja edhe me avionin Canadair kroat ngadalësoi përhapjen e flakëve drejt disa banesave dhe staneve në zone, por temperaturat e larta dhe erërat e forta ndikuan negativisht në vënien nën kontroll të vatrës, e cila pati një perimetër shumë të madh. Sot vijon puna për shuarjen e zjarrit.

Gjatë orëve të pasdites, pati një riaktivizim të fuqishëm të vatrës së zjarrit nga kufiri me Mirditën. Sot në terren pritet të operojnë 2 helikopterët hungarezë dhe avioni kroat Canadair.

AKMC thekson se në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 40 automjete zjarrfikëse 776 forca operacionale nga strukturat vendore dhe qendrore.

Gjatë ditës së djeshme morën pjesë në operacione 345 forca nga Forcat e Armatosura (FA), me 3 mjete dhe 3 helikopterë, 1 avion Canadair i ardhur nga shteti kroat, 2 helikopterë për misione rikonjicioni nga Hungaria

Për ditën e sotme, janë në vijim të operacioneve: 215 efektivë të FA, 1 helikopter nga FA, 1 avion Canadair kroat, 2 helikopterë hungarezë, në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile

Sipas IGJEO-s, sot nuk priten reshje në të gjithë territorin. Sa i përket zjarreve, sot pritet nivel rrezik “I LART˔ në të gjitha qarqet.

AKMC thekson se, autoritetet qëndrojnë në gatishmëri të plotë dhe janë në bashkëpunim të ngushtë me strukturat vendore dhe ndërkombëtare për menaxhimin dhe shuarjen e zjarreve.

Gjithashtu AKMC u bën thirrje për kujdes dhe bashkëpunim qytetarëve, për të shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshuar pranë autoriteteve përkatëse.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›