E Diel, 1 Nëntor 2026

U plagos nga bashkëkombasi i tij, turku s’bashkëpunon me policinë: Nuk e njoh autorin! Zbardhet dinamika, si ndodhi ngjarja

Turku 36-vjeçar Halil Uçar, i cili u plagos mbrëmjen e djeshme në një lokal në zonën e Saukut të Vjetër në Tiranë nga një bashkëkombës i tij, nuk ka treguar bashkëpunim me policinë. Gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit, ai ka deklaruar se nuk e njeh personin që e qëlloi dhe se mes tyre nuk ka pasur asnjë konflikt.

Sipas policisë, dinamika e ngjarjes është zbardhur plotësisht. Autori dhe i plagosuri ndodheshin në tavolina të ndryshme dhe në kate të ndryshme të lokalit. Pasi kishte darkuar në katin e parë, autori – po ashtu shtetas turk dhe ende i paidentifikuar – është ngjitur në katin e dytë, ku ka qëlluar me armë në drejtim të Uçarit, duke e plagosur me një plumb në shpatull.

Pas të shtënave ai është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Policia ka siguruar disa pamje nga kamerat e sigurisë dhe po punon për krijimin e një identikiti të plotë për ta identifikuar autorin.

Ndërkohë, në vendngjarje dhe në tavolinën ku autori kishte konsumuar darkën janë gjetur materiale gjenetike që mund të ndihmojnë në identifikimin e tij.

Përmes Interpolit, autoritetet shqiptare po bashkëpunojnë me ato turke për të zbuluar identitetin e autorit dhe për të verifikuar nëse mes tyre ka pasur konflikte të mëparshme.

Nuk përjashtohet mundësia që ngjarja të lidhet me ndonjë hakmarrje për probleme të mëhershme në Turqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›