U pyet për financimet e “Kënga Magjike” nga Bashkia e Tiranës/ “E kisha premierë. U thirra si…”, Ardit Gjebrea del pas 2 orë e gjysmë nga SPAK, batuta për prokurorët: I ftova në program

Pas më shumë se dy orësh e gjysmë në Prokurorinë e Posaçme, producenti dhe kantautori Ardit Gjebrea ka dhënë një prononcim për mediat, duke sqaruar se është pyetur në cilësinë e dëshmitarit dhe jo si person nën hetim.
Gjebrea u shpreh se nuk mund të japë më shumë detaje për çështjen, pasi ajo është sekret hetimor, ndërsa theksoi se ka respektuar institucionin dhe gazetarët që e prisnin jashtë.
“Isha në cilësinë e dëshmitarit, për një çështje që është sekret hetimor. Nuk flas dot më shumë, sepse duhet të respektoj institucionin, por po ju respektoj edhe juve. Mund të kisha ikur, por nuk e bëj dot. Jam si person në dijeni”, tha ai.
I pyetur edhe për raportin e tij me personat që lidhen me çështjen, Gjebrea e përshkroi takimin si miqësor, duke përmendur edhe ftesat reciproke në emisionin e tij dhe në aktivitete të tjera. “Ishin miqësorë. Edhe unë e ftova në programin tim. Meqenëse ‘E diela shqiptare’ ka një rubrikë njerëzore, pse jo. Më ftuan, i ftova. U solla pak si amator”, u shpreh Gjebrea, duke e shoqëruar deklaratën me të qeshur.
Gjebrea është thirrur në SPAK në kuadër të hetimeve për çështjen “Veliaj”, ku ka dhënë shpjegime lidhur me financimet që kompania e tij, “Jon Music”, ka marrë nga Bashkia e Tiranës për organizimin e festivalit “Kënga Magjike”. Burime bëjnë me dije se pyetjet ndaj producentit janë përqendruar te pagesat e përfituara nga institucioni i drejtuar në atë kohë nga Erion Veliaj.
Referuar të dhënave të platformës “Open Spending Data”, e cila pasqyron pagesat e kryera përmes Thesarit, rezulton se kompania “Jon Music” ka përfituar gjashtë pagesa nga Bashkia e Tiranës gjatë kohës kur në krye të saj ishte Erion Veliaj. Gjebrea është pyetur për këto financime dhe rrethanat e përfitimit të tyre, në kuadër të hetimeve që SPAK po zhvillon për çështjen që lidhet me ish-kryebashkiakun e Tiranës.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb