Arsyet e Ardit Gjebrea në SPAK, kontratat me Bashkinë e Tiranës

Këngëtari dhe moderatori Ardit Gjebrea është thirrur mëngjesin e sotëm në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), në kuadër të verifikimeve që lidhen me kontratat sponsorizuese të lidhura me Bashkinë e Tiranës.
Sipas burimeve të gazetarit të SYRI-t, Elton Qyno, thirrja e Gjebreas lidhet pikërisht me këto kontrata. Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar nga SPAK për arsyen konkrete të paraqitjes së tij apo cilësinë në të cilën është thirrur.
Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit, të pasqyruara në platformën Open Spending Data, tregojnë se shoqata “Jon Music”, e lidhur me organizimin e festivalit “Kënga Magjike”, ka përfituar gjashtë pagesa nga Bashkia e Tiranës gjatë viteve 2019–2022.
Sipas këtyre të dhënave, më 19 dhjetor 2022, Bashkia e Tiranës i ka kaluar shoqatës 8 milionë lekë për festivalin “Kënga Magjike 2022”. Një pagesë tjetër prej 705.880 lekësh është kryer më 3 dhjetor 2021, ndërsa më 11 tetor të po atij viti shoqata ka përfituar 6.289.998 lekë, sërish për festivalin.
Në vitin 2020 rezultojnë dy transferta të tjera, përkatësisht 2.7 milionë lekë më 3 shkurt dhe 4.3 milionë lekë më 31 janar. Ndërsa më 29 janar 2019, “Jon Music” ka përfituar 7.975.000 lekë nga Bashkia e Tiranës.
Këto pagesa janë pjesë e verifikimeve për të cilat, sipas burimeve mediatike, është thirrur Gjebrea në SPAK. Deri në një sqarim zyrtar, nuk dihet nëse ai është thirrur për të dhënë shpjegime si person në dijeni apo në një cilësi tjetër procedurale.