U raportua se e sulmoi ariu në Bulqizë, ekspertiza zbulon se 62-vjeçari është vrarë me armë

Ngjarja e rëndë e raportuar në Bulqizë një ditë më parë, ku fillimisht u dyshua se një 62-vjeçar kishte humbur jetën pas sulmit nga një ari, ka marrë një tjetër drejtim pas ekzaminimit mjekoligjor.
Viktima, Urim Fiku, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri. Sipas ekspertizës mjekoligjore, në trupin e tij janë konstatuar plagë të shkaktuara nga armë zjarri në pjesën e kraharorit.
62-vjeçari kishte dalë në mal për të kullotur dhitë dhe, sipas të dhënave paraprake, ishte kthyer në banesë i plagosur.
Rasti ishte raportuar fillimisht në polici nga Spitali i Bulqizës, pasi familjarët kishin kërkuar ndihmë mjekësore për të, duke pretenduar se ishte sulmuar dhe kafshuar nga një kafshë e egër, dyshohet ari.
Zbulimi i plagëve nga arma e zjarrit ka ndryshuar pistën e hetimit, ndërsa pritet që hetimet të zbardhin rrethanat e plota të ngjarjes dhe autorësinë e mundshme.