U rrëzua dhe dëmtoi këmbën duke eksploruar Majën e Rosit, gjendet turisti gjerman

TIRANË, 7 qershor /ATSH/ Një turist gjerman, teksa ka qenë duke eksploruar zonën e njohur si “Maja e Rosit” në Valbonë, ishte rrezuar dhe për pasojë kishte lënduar këmbën.
Forcat policore kanë arritur të gjejnë turistin pas dy orë kërkimesh. Fatmirësisht ai është jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhet në Spitalin e Tropojës, ku dhe po merr ndihmë mjekësore.
“Rreth orës 13:15, Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftim se në vendin quajtur “Maja e Rosit”, Valbonë, një shtetas gjerman(turist) duke eksploruar alpet e Valbonës ishte rrëzuar dhe për pasojë kishte dëmtuar këmbën.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës, janë nisur drejt adresës së dhënë.
Pas dy orësh kërkimesh shërbimet e Policisë, lokalizuan turistin gjerman 68 vjeçar, i cili u transportua nga shërbimet e Policisë deri në rrugën e makinave dhe më pas u transportua drejt spitalit me autoambulancë. Turisti ndodhet në Spitalin e Tropojë, jashtë rrezikut për jetën.
Drejtoria Vendore e Policisë Kukës është e angazhuar maksimalisht në përmbushje të detyrave për garantimin e rendit dhe sigurisë, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe në ndihmë të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve në rast nevoje”, njofton policia.
/a.f/