E Diel, 1 Nëntor 2026

“U rrëzuan akuzat për krime kundër njerëzimit”, Vuçiç për vendimin e ish-krerëve të UÇK-së: Nuk është përfundimtar

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një konferencë për mediat, Vuçiç tha se vendimi i shkallës së parë nuk ka përfshirë, sipas tij, krime kundër njerëzimit dhe krime të kryera ndaj serbëve.

Ai paraqiti fotografi që, sipas tij, dëshmojnë krime ndaj popullsisë jo shqiptare dhe kritikoi faktin që këto raste nuk janë përfshirë në dënimet e dhëna.

Vuçiç u ndal te gjashtë pikat e akuzës për krime kundër njerëzimit, të cilat trupi gjykues nuk i gjeti të provuara përtej dyshimit të arsyeshëm.

“Ata nuk donin të minonin besueshmërinë e UÇK-së dhe nuk donin të hynin në thelbin e çështjes”, deklaroi presidenti serb. Sipas tij, vendimi nuk ka trajtuar as çështje të tilla si rrëmbimet, vrasjet dhe zhdukjet e serbëve pas përfundimit të luftës, ndërsa përmendi edhe rastin e njohur si “Shtëpia e Verdhë”.

Vuçiç tha gjithashtu se në aktgjykim nuk është trajtuar qëllimi i UÇK-së për krijimin e një Kosove të pavarur nga Serbia dhe ish-Jugosllavia. Megjithatë, presidenti serb theksoi se Serbia duhet të ruajë paqen dhe stabilitetin në rajon, pavarësisht reagimeve të forta pas vendimit të Hagës.

“Zgjidhja në të ardhmen qëndron padyshim te biseda, mirëkuptimi më i madh dhe dialogu me të gjithë”, u shpreh Vuçiç.

Ai shtoi se tensionet e vazhdueshme, dekada pas luftërave në ish-Jugosllavi, tregojnë sipas tij nevojën për përballje me të kaluarën dhe për një dialog më të gjerë në rajon

Katër ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, u shpallën fajtorë për disa krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›