UASHINGTON – Rubio: Bota është më e sigurt që nga sulmet e SHBA-së kundër Iranit

UASHINGTON, 22 qershor /ATSH-AFP/ – Bota është më e sigurt dhe më e qëndrueshme sesa ishte 24 orë më parë, tha sot sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio, pas sulmeve të Uashingtonit kundër tre centraleve bërthamore iraniane.
Gjatë një interviste në Fox News, Rubio akuzoi gjithashtu Iranin për nisjen e “negociatave të rreme” me Shtetet e Bashkuara duke u përpjekur të “luajë” me presidentin Donald Trump para sulmeve të SHBA-së.
Shtetet e Bashkuara janë “të gatshme të flasin” me Iranin në lidhje me programin e tij bërthamor civil, tha diplomati më i lartë amerikan.
“Regjimi iranian duhet të zgjohet dhe të thotë se ‘nëse duam vërtet energji bërthamore për qëllime paqësore në vendin tonë, atëherë ka një mënyrë për ta bërë këtë’. Oferta është ende aty, ne jemi të gatshëm të flasim me ta nesër”, tha Marco Rubio në një intervistë me Fox News, një ditë pas sulmeve amerikane që synonin tre centrale bërthamore iraniane./ a.jor.