UASHINGTON – Trump urdhëron njësi speciale në Gardën Kombëtare

UASHINGTON, 26 gusht /ATSH-ANSA/ – Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv duke i kërkuar sekretarit të tij të Mbrojtjes, Pete Hegseth, të krijojë njësi të specializuara në Gardën Kombëtare që do të jenë të trajnuara dhe të pajisura posaçërisht për t’iu përgjigjur çështjeve të rendit publik.
Sipas CNN, ky është sinjali më i qartë deri tani për synimin e tij për të zgjeruar rolin e ushtrisë amerikane në polici kombëtare në gjithë vendin.
Me urdhrin e ri, Hegseth ngarkohet të sigurojë që Garda Kombëtare e Ushtrisë dhe Garda Kombëtare Ajrore e secilit shtet të jenë të pajisura, të trajnuara, të organizuara dhe të gatshme për të ndihmuar autoritetet federale, shtetërore dhe lokale në shuarjen e trazirave civile dhe garantimin e sigurisë publike dhe rendit, sa herë që rrethanat e kërkojnë, sipas ligjit.
Një nga misionet kryesore të Gardës Kombëtare tashmë është të jetë e trajnuar dhe në dispozicion për të ndihmuar forcat e rendit në sigurinë publike, zakonisht me kërkesë të guvernatorit të shtetit përkatës.
Urdhri gjithashtu e detyron Hegseth-in të ”caktojë një numër të mjaftueshëm anëtarësh të trajnuar të Gardës Kombëtare në çdo shtet, të cilët janë në dispozicion për mobilizim të shpejtë për këto qëllime”, si dhe të krijojë një ”forcë të reagimit të shpejtë” të përhershme, e cila do të jetë ”e gatshme për dislokim të menjëhershëm në mbarë vendin”./ /Ad.Ab./