E Diel, 1 Nëntor 2026

UASHINGTON – Vance: Aleatët evropianë të SHBA-së kanë bërë më shumë lëshime për Groenlandën sesa pranojnë publikisht

UASHINGTON, 5 shkurt /ATSH/- Aleatët evropianë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë bërë më shumë lëshime për Groenlandën sesa pranojnë publikisht, tha  zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance gjatë një interviste në emisionin “Megyn Kelly Show”, sipas BBC.

Ai sugjeroi se një marrëveshje e ardhshme kornizë, e prezantuar nga presidenti Donald Trump muajin e kaluar do të ishte në dobi të SHBA.

Njoftimi i Trump erdhi si një lehtësim pas frikës në rritje se SHBA-ja mund të përdorte forcën ushtarake ndaj Danimarkës, një tjetër aleat i NATO-s, për të marrë ishullin semi-autonom arktik.

Trump thotë se Groenlanda është e nevojshme për mbrojtjen ndaj mundësive të sulmeve nga Rusia dhe Kina.

Si Danimarka, ashtu edhe Grenlanda kanë deklaruar se nuk do të pranojnë të cënojnë sovranitetin e tyre, ndërsa aleatët evropianë kanë dalë në mbështetje të tyre.

Vendndodhja e Groenlandës mes Amerikës së Veriut dhe Arktikut e bën atë një vend të përshtatshëm për sistemet e hershme të paralajmërimit në rast sulmesh me raketa.

Trump ka deklaruar pa prova se ishulli është “mbushur me anije ruse dhe kineze kudo”. Ai gjithashtu tha se SHBA-ja duhej të zotëronte Groenlandën për ta mbrojtur atë siç duhej.

Më shumë se 100 ushtarë amerikanë janë të stacionuar në një bazë të SHBA-së në cepin veriperëndimor të Groenlandës, një objekt i menaxhuar nga SHBA-ja që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas marrëveshjeve ekzistuese me Danimarkën, SHBA-ja ka të drejtën të vendosë sa më shumë trupa të dëshirojë në Groenlandë.

Vance nuk dha detaje për atë që përmbante plani i shpallur nga Trump, por përsëriti se Kina dhe Rusia kishin interes për ishullin arktik.

“Është një nga rregullat e pashkruara që të gjithë e dinë: nëse kinezët ose rusët ndikojnë në ndonjë nga sistemet tona të rëndësishme të mbrojtjes nga raketat, ne domosdoshmërisht do ta mbrojmë atë. Por ne nuk po marrim asgjë për këtë”, tha zëvendëspresidenti amerikan.

“Le të rishkruajmë pak rregullat dhe të themi se nëse SHBA-ja do të mbrojë sistemin e mbrojtjes nga raketat të gjithë botës, kryesisht tonin, por përfiton edhe pjesa tjetër e botës, duhet të marrim një përfitim nga kjo marrëveshje”, tha Vance.

Nuk është e qartë nëse Vance po i referohej burimeve natyrore të Groenlandës, përfshirë mineralet e rralla, uraniumin dhe hekurin, që po bëhen më të lehta për t’u shfrytëzuar ndërsa akulli vazhdon të shkrihet për shkak të ndryshimeve klimatike.

Shkencëtarët mendojnë se ishulli mund të ketë gjithashtu rezerva të konsiderueshme nafte dhe gazi.

Trump tha se marrëveshja kornizë do të përfshijë akses në burimet minerale të Groenlandës.

“Është shumë qesharake pasi evropianët janë shumë miqësorë privatisht dhe janë të gatshëm të bëjnë shumë kompromise, por pastaj publikisht na sulmojnë”, tha Vance.

“Idetë se ata nuk kanë bërë asnjë kompromis ose bërë lëshime ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është e vërtetë”, shtoi ai. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›