E Hënë, 2 Nëntor 2026

UBT sjell teknologjinë italiane të prodhimit të Mozzarella-s në Shqipëri

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Universiteti Bujqësor i Tiranës bëri të ditur se ka nisur zbatimin e një iniciative të rëndësishme ndërkombëtare për transferimin e teknologjisë së prodhimit të djathit të njohur italian “Mozzarella”, në Shqipëri.

Ky projekt zhvillohet në kuadër të programit të bashkëpunimit ndërkombëtar “Partneritet për Bashkëpunim”, në bazë të Ligjit Rajonal të Puglias.

Projekti realizohet në partneritet me bashkinë italiane të njohur për prodhimin e Mozzarella-s, Institutin Teknik IISS “Basile Caramia – F. Gigante” me qendër në Locorotondo dhe Alberobello dhe Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT) si partner aplikues nga Shqipëria.

Qëllimi kryesor i projektit është transferimi i njohurive teknike dhe praktikave më të mira italiane në prodhimin artizanal dhe të qëndrueshëm të Mozzarella-s, me qëllim të fuqizimit të kapaciteteve profesionale dhe teknologjike në Shqipëri.

Ky është një partneritet me përfitime për studentët dhe sektorin e bujqësisë shqiptare

Ky bashkëpunim do të krijojë mundësi konkrete për trajnim dhe formim profesional të studentëve dhe stafit të UBT në teknologjitë e përpunimit të qumështit dhe prodhimit të djathit me cilësi të lartë, vizita studimore dhe shkëmbime eksperiencash mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e agropërpunimit dhe inovacionit në zinxhirin e vlerës së produkteve blegtorale, promovim të produkteve artizanale me identitet gjeografik dhe përgatitje për tregje më të gjera, përfshirë eksportin në të ardhmen si dhe zhvillim të praktikave me impakt të ulët mjedisor (zero impact) në përpunimin e qumështit.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit dhe inovacionit në bujqësi.

Projekte të tilla si “PROFIT 0” janë dëshmi konkrete e hapjes së universitetit ndaj partneriteteve evropiane, duke sjellë teknologji, ekspertizë dhe mundësi të reja për studentët dhe komunitetin rural shqiptar.e.xh/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›