E Hënë, 2 Nëntor 2026

Uorkshop mbi shërbimet sociale, diskutohet për mbështetjen e familjeve në Durrës dhe Pustec

Në Durrës ka nisur uorkshopi me temë “Nga vizioni në veprim, përmirësimi i shërbimeve për fëmijët dhe familjet në bashkitë e Durrësit dhe Pustecit”.

Takimi organizohet nga Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ACPD) me mbështetjen e Ambasadës së Bullgarisë në Tiranë.

“Të gjitha rekomandimet që do të dalin gjatë ditës së sotme dhe diskutimet që do të kemi, bazuar edhe në planet e veprimit që kanë bashkitë, do të përpiqemi, nëse do të duhet, edhe në nivele më të larta,” tha Elona Hoxha, drejtore ekzekutive e ACPD-së.

Ajo theksoi eksperiencën e gjatë të qendrës në mbështetjen e grupeve vulnerabël dhe rëndësinë e adresimit të problematikave me rekomandime konkrete.

Nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, Gentian Kallmi, vlerësoi rëndësinë e uorkshopit për shkëmbimin e përvojave lokale dhe çështjeve ndërkufitare.

“Plani është fryt i punës së përbashkët të institucioneve publike dhe jopublike në nivel vendor e rajonal, të lidhura drejtpërsëdrejti me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve, individëve në nevojë. Për Bashkinë Durrës ai është një dokument planifikimi dhe menaxhimi, i cili adreson më së miri sfidat dhe barrierat që i pengojnë individët në nevojë për një jetë dinjitoze,” u shpreh z. Kallmi.

“Ne kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë të mbështesim projekte të tilla, pasi kërkojmë forcimin e politikave lokale dhe ngritjen e nivelit të shërbimeve për të gjitha kategoritë e popullsisë në nevojë,” shtoi Iliyan Krumov, drejtor i Kulturës në Ambasadën e Bullgarisë.

Dita e parë e uorkshopit u fokusua tek “Mësimi nga përvoja dhe eksplorimi i praktikave të mira”, për të nxjerrë më pas konkluzione dhe rekomandime për fëmijët dhe familjet në tërësi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›