UGSH reagon ndaj sulmit verbal të deputetit Spaho ndaj gazetarit Xhensil Shkëmbi

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar sot ndaj sulmit verbal të kandidatit të Partisë Demokratike, Edmond Spaho në qarkun e Korçës ndaj gazetarit Xhensil Shkëmbi.
UGSH thekson se ka marrë ditën e sotme një ankesë nga gazetari Xhensil Shkëmbi, për një akuzë publike përmes rrjetit social Facebook nga kandidati për deputet i PD – ASHM, Edmond Spaho.
“Në një status të vet, kandidati për deputet, ka përdorur foto ilustruese të një kohe të shkuar, duke i dhënë imazhit fotografik nga një aktivitet në cilësinë e aktivistit religjionar të kolegut Shkëmbi, interpretim partiak”, cilëson UGSH në reagimin zyrtar.
Sipas UGSH-së, gazetari Shkëmbi nuk ka pasur dhe nuk ka aktivitet politik apo partiak, veç interesit si besimtar i lirë.
“Në statusin e vet kandidati për deputet e intimidon gazetarin duke e cilësuar gazetar në thonjëza dhe duke e kërcënuar se organi i posaçëm SPAK do të kërkojë shpjegime prej gazetarit. Një interpretim i tillë politizues i kandidatit për deputet në adresë të gazetarit, do të ishte gjysma e së keqes. Mirëpo mundësimi që në hapësirën e faqes së vet, të cilën e administron kandidati zyrtarisht, shumë persona me një gjuhë stigmatizuese, agresive, fyese dhe denigruese ndaj gazetarit, shton përgjegjësinë e vetë zotit Spaho ndaj rastit”, shton UGSH.
“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë duke respektuar karrierën dhe profilin e njohur publik të kandidatit, i drejtohet atij publikisht të tërheqë akuzën publike dhe keqinterpretimin ndaj fotos dhe pozicionit të gazetarit në rastin që përmend. Njëkohësisht i kërkojmë zotit kandidat menjëherë, të pastrojë nga hapësira e rrjeteve sociale të cilat i vetadministron të gjitha sulmet, etiketimet dhe përbaltjet ndaj emrit dhe profilit të gazetarit”, thuhet në reagim.
“Është rasti të sjellim në vëmendje të të gjithë aktorëve elektoralë në Shqipëri, të respektojnë kodet dhe legjislacionin që garanton fushatë elektorale, proces zgjedhor, të rregullt, të garantuar, larg intimidimeve dhe sidomos, pa cenuar rolet dhe pozicionet e aktorëve, subjekteve dhe palëve elektorale në marrëdhënie dhe funksionin e medieve e sidomos gazetarëve”, përfundon reagimi i UGSH-së.
/r.e/a.f/