E Martë, 3 Nëntor 2026

UKRAINË – Sulmet ruse gjatë armëpushimit të Pashkëve shkaktojnë tre të vrarë

KIEV, 22 prill /ATSH/- Sulmet ruse gjatë armëpushimit 30-orësh të Pashkëve të shpallur në mënyrë të njëanshme nga presidenti Vladimir Putin gjatë fundjavës shkaktuan vdekjen e  tre personave në rajonin jugor Kherson të Ukrainës, tha sot një zyrtar rajonal, sipas AP.

Oleksandr Prokudin, kreu i administratës së Kherson, shkroi në Telegram se viktimat u raportuan gjatë 24 orëve të fundit, duke shtuar se tre të tjerë u plagosën në rajon, pjesë të të cilit janë të pushtuara nga Rusia.

Pasi Putini deklaroi masën të shtunën, Ukraina u përgjigj duke shprehur gatishmërinë për të reciprokuar çdo armëpushim të vërtetë, por tha se sulmet ruse vazhdojnë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Rusia kishte shkelur armëpushimin më shumë se 2900 herë.

Zelensky tha se forcat ruse kishin kryer 96 operacione sulmi përgjatë vijës së frontit, bombarduar pozicionet ukrainase më shumë se 1800 herë dhe përdorën qindra drone gjatë armëpushimit.

“Natyra e veprimeve të Ukrainës do të vazhdojë të jetë si pasqyrë: ne do t’i përgjigjemi heshtjes me heshtje dhe goditjet tona do të jenë një mbrojtje kundër goditjeve ruse. Veprimet gjithmonë flasin më shumë se fjalët”, tha ai.

Ministria ruse e Mbrojtjes, nga ana e saj, renditi 4 900 shkelje të armëpushimit ukrainas. Ajo akuzoi se forcat e Moskës kishin respektuar rreptësisht armëpushimin dhe qëndruar në linjat dhe pozicionet e pushtuara më parë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha sot gazetarëve se Rusia do të informojë të gjitha palët e interesuara në lidhje me shkeljet e armëpushimit ukrainas.

Peskov tha se Rusia mbetet e hapur për të kërkuar një zgjidhje paqësore dhe po vazhdon të punojë me palën amerikane, duke shtuar se Moska shpresonte që bisedimet të japin rezultate. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›