Manjani: Mbi 200 mijë kontribuues të rinj në skemën e sigurimeve shoqërore nga 2014-2024

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani u shpreh sot gjatë një takimi me pensionistë në Gjirokastër, se në dhjetëvjeçarin e fundit, nga periudha 2014-2024, skemës së kontribuuesve të sigurimeve shoqërore në vend i janë shtuar mbi 200 mijë kontribuues të rinj falë reformës së pensioneve.
I pranishëm në takimin me pensionistët, Kryeministri, njëherazi edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha se gjatë këtyre ditëve paralelisht me shumë gjëra të tjera janë bërë edhe takime për temat e ndryshme të qeverisjes dhe për një temë jashtëzakonisht të rëndësishme siç janë pensionet. “Ramë dakord që ta bëjmë takimin këtu me pensionistët e Gjirokastrës për të dhënë një pasqyrë të asaj se ku jemi dhe çfarë duam të bëjmë”, tha Rama.
Zv.ministrja Manjani vijoi shpjegimet duke theksuar se janë bërë rreth dhjetë takime me pensionistë të ndryshëm nga e gjithë Shqipëria, me punëdhënës dhe punëmarrës për të prekur një skemë të rëndësishme siç është ajo e pensioneve. “Këtë e kemi bërë në kuadër të reformës që po ndërmarrim për të rishikuar skemën e pensioneve, në lidhje me mënyrën si llogaritet pensioni, pse një pensioni është më i ulët, dhe një më i lartë. Skema e pensioneve ka të ardhurat dhe shpenzimet dhe burimi i pensioneve janë të ardhurat që ne derdhim në punën tonë nëpërmjet sigurimeve shoqërore. Ne kemi një nivel të sigurimeve shoqërore, ndër më të ulëtat në vendet e rajonit”, tha Manjani.
“Në vitin 2014 kur u bë reforma e fundit deri në vitin 2024 i janë bashkuar skemës së sigurimeve shoqërore mbi 200 mijë kontribuues të rinj që do të thotë para vitit 2014 kishte shumë individë që punonin, merrnin pagën por nuk derdhnin kontributet shoqërore. Në një pjesë nuk ishin deklaruar fare, një pjesë tjetër kishin punuar në të zezë dhe një pjesë tjetër kishte një nëndeklarim të pagës”, pohoi Manjani, ndërsa theksoi se në këtë dhjetëvjeçar u bë punë e jashtëzakonshme për të rritur ndërgjegjësimin, numrin e viteve të kontributeve, por edhe masën e tyre. /j.p/