E Martë, 3 Nëntor 2026

UKRAINË – Të paktën 17 të vrarë, mbi 280 të plagosur nga sulmi rus në Dnipro

KIEV, 24 qershor /ATSH-DPA/- Të paktën 17 persona u vranë dhe më shumë se 280 të plagosur në sulmet me raketa ruse sot në Dnipro, thanë autoritetet, duke shënuar një nga sulmet më vdekjeprurëse në qytetin juglindor të Ukrainës, në muajt e fundit.

Dy persona të tjerë vdiqën në një qytet aty pranë, ndërsa fushata ushtarake ajrore e pamëshirshme e Moskës goditi rajone të shumta të Ukrainës.

Në qytetin e afërt të Samarit, dy persona u vranë dhe të paktën 12 të tjerë u plagosën në sulmet ruse me raketa.

Më herët gjatë ditës, sulmet ruse me dronë dhe artileri shkaktuan dëme në të gjithë veriun dhe jugun e Ukrainës.

Në rajonin e Sumy-t, u vranë tre persona, ndërsa tre të tjerë u plagosën dhe u shtruan në spital, njëri prej tyre në gjendje të rëndë.

“Në rajonin jugor të Khersonit, u raportuan katër të vrarë dhe pesë të plagosur për shkak të bombardimeve ruse që nga e hëna”, tha guvernatori Oleksandr Prokudin.

Katër viktima të tjera u regjistruan në zonat e kontrolluara nga Ukraina të Donetskut.

Lufta në shkallë të plotë e Rusisë kundër Ukrainës, tani në vitin e saj të katërt, vazhdon të shkaktojë një numër të madh viktimash civile, ndërsa qytetet kryesore dhe rajonet në vijën e frontit përballen me bombardime të vazhdueshme. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›