Ukrainë, të paktën 7 të vdekur në Kherson nga sulmet ruse

Të paktën 7 civilë u vranë në një sulm nga forcat ruse këtë mëngjes pranë një tregu në qendër të Kherson, qyteti i madh në Ukrainën jugore që ndodhet pranë vijës së frontit, njoftoi zyra e prokurorit të përgjithshëm të rajonit.
“Tre gra dhe katër burra” humbën jetën në këtë sulm, i cili me sa duket u krye me ndihmën e artilerisë, sqaroi prokuroria e përgjithshme.
Sipas të njëjtit burim, nga sulmi u plagosën edhe tre persona të tjerë, ndërsa pak më herët guvernatori rajonal i Khersonit, Oleksandr Prokhudin, në një postim në aplikacionin e mesazheve Telegram njoftoi se 5 persona kanë humbur jetën dhe 5 të tjerë janë plagosur.
Ndërkohë, Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan sot se rrëzuan 29 nga 32 mjetet ajrore pa pilot (dronë) të nisura nga Rusia gjatë sulmit të saj gjatë natës./vizionplus.tv