Uldedaj kampion bote në boks, Gonxhja: Flamuri kuqezi lart në arenën ndërkombëtare

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj u shpall kampion bote në versionin IBO Cruiserweight (International Boxing Organization) për peshën e rëndë duke arritur të mposhtë kampionin kamerunas, Rolly Lambert Fogoum.
Ndeshja e zhvilluar në “O2 Arena” të Londrës shënon një arritje historike për sportin shqiptar, pasi Uldedaj bëhet boksieri i parë shqiptar që ngjitet në majat e boksit profesionist duke fituar një titull botëror.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja në një postim në rrjetet sociale tha se “kjo fitore që ngre lart flamurin kuqezi në arenën ndërkombëtare”.
Boksieri Uldedaj pas fitores në një postim në rrjetet sociale falënderoi të gjithë për mbështetjen dhe për urimet e panumërta për fitoren.
“Çdo mesazh, çdo fjalë dhe çdo lutje më kanë dhënë forcë në rrugën drejt këtij momenti historik. Jam krenar që arrita të shpallem Kampion Bote IBO në kategorinë Cruiser, dhe mbi të gjitha, që këtë fitore ia dedikoj Shqipërisë. Ky është vetëm fillimi. Faleminderit që më keni qëndruar pranë në çdo hap”, theksoi Uldedaj.
Uldedaj arriti të triumfojë ndaj kamerunasit Rolly Lambert Fogoum, në një përballje të fortë e të luftuar deri në fund, duke fituar me vendim unanim të gjyqtarëve.
/k.s/j.p/